Pas konstituimit të Kuvendit, deputetët do të mblidhen për herë të parë të dielën, me vetëm një pikë të rendit të ditës.
Në seancën që është thirrur për ora 10:00, Albin Kurti do ta prezantojë planin dhe kabinetin qeveritar. Kjo është dita e fundit e afatit 15 ditor, prej kur u mandatua nga presidentja.
Për ta formuar qeverinë Kurti 3, i duhen së paku 61 vota. Megjithatë ende është e paqartë nëse Lëvizja Vetëvendosje ka arritur marrëveshje me ndonjë subjekt parlamentar, për ta arritur këtë shumicë të nevojshme.
Partia e parë, e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, e ka përjashtuar mundësinë e koalicionit me Partinë Demokratike dhe Listën Serbe.
Ndërkaq Lidhja Demokratike e ka refuzuar ofertën për partneritet.
“Nuk po shihet në horizont që do të ketë ndonjë marrëveshje politike në këto dy tri ditët e ardhshme me LDK, me ne nuk ka asnjë komunikim, e kemi refuzuar andaj edhe nuk do të ketë as biseda e as marrëveshje politike,” tha deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovë, Alban Zogaj.
Kurse me Nisëm Socialdemokrate ka pasur diskutime, por ende nuk ka asgjë zyrtare.
Në rast të mosmiratimit të qeverisë Kurti 3, presidentja e vendit do t’i jep mandatin një kandidati tjetër dhe nëse votimi dështon edhe për herë për dytë, atëherë Vjosa Osmani brenda 40 ditësh duhet të shpallë zgjedhjet e jashtëzakonshme.
Në linkun më poshtë gjeni edicionin e plotë të lajmeve qendrore.







