Përgatiti: Pranvera Krasniqi
Solidarizim të vazhdueshëm e angazhim të përditshëm për mposhtjen e dhunës me bazë gjinore ka kërkuar kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.
Në Konferencën gjithëditore “Të Bashkuar Kundër Dhunës – Mjaft!”, mes tjerash, ai tha se janë krijuar disa mekanizma mbrojtës, por duhet ende punë.
“Fatkeqësisht dhuna gjinore mbetet një problem i madh, edhe ndonëse janë bërë hapat për avancimin dhe ngritjen e ndërgjegjësimit dhe të gjithë e dinë se kemi shumë punë për të bërë.
Institucionet janë më të përgatitura tash për t’iu përgjigjur viktimave të dhunës”, tha Konjufca.
Ministria e Drejtësisë, njëherësh edhe Koordinatorja Nacionale Kundër Dhunës në Familje, Albulena Haxhiu, tha se dhuna është një dështim politik që kërkon një përgjigje të guximshme.
“Kosova ka bërë hapa përpara në shumë drejtime, por suksesi si shtet matet më së shumti nga ajo që ne si institucione bëjmë për më të dobëtit. Dhuna në familje dhe dhuna në bazë gjinore, vazhdojnë të jenë sfida tona të mëdha. Si ministre e Drejtësisë jam përkushtuar të mandatit tim për të siguruar që ligjet të mos jenë vetëm fjalë dhe vepra, por armë të fuqishme kundër dhunës
dhe ne përmes mekanizmave adekuatë, ne po forcojmë mekanizmat e ligjit”, tha Haxhiu.
Ndërkaq, sipas ish-presidentes Atifete Jahjaga, e cila drejton fondacion për fuqizimin e grave, rastet e dhunës pësuan rritje sidomos gjatë pandemisë COVID-19.
“Ka rritje enorme të rasteve sidomos pas pandemisë para 5 viteve, nuk kemi arrit akoma me ndryshuar mendësinë për barazinë që kanë vajzat dhe djemtë”, tha Jahjaga.
Në konferencë u tha se krahas fushatave të tjera vetëdijesuese që janë organizuar në vazhdimësi, progresi nuk është i kënaqshëm, përderisa rastet e dhunës ndaj grave nuk është që kanë pësuar rënie të ndjeshme.