Përgatiti: Pranvera Krasniqi
Saktësisht qe 29 ditë, uji i liqenit të Badocit nuk mund të shfrytëzohet për pirje e gatim, për shkak të pranisë së manganit.
Në njoftimin e fundit, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, tha se vlerat e manganit në ujë kanë filluar të bien, por ende nuk është arritur shkalla e duhur.
Në mungesë të ujit të pijshëm, qytetarët po detyrohen të gjejnë alternativë tjetër.
Madje, ata ankohen se çmimi i ujit është ngritur.
“Çdo produkt u shtrenjtua, tash edhe uji, menxi pe presin situatën e me shtrenjtua, pe ki ka 1.20, 1.30 e deri në 1.50. Vështirë, qe sa kohë pa ujë”, tha Njazi Gashi, qytetar.
“S’po kemi ujë fare, po dalim po blejmë, nganjëherë pe marrim me cisterna qashtu”, tha një qytetare.
Përveç ekonomive familjare, vështirësi në furnizimin me ujë të pijshëm kanë edhe sektorët e tjerë.
Habib Gashi, nga po kjo lagje, njësoj thotë se vepron çdo mëngjes për mbesat e tij.
“Po ua paketojmë shishen, po ia fusim në çantë, se ndryshe nuk po kanë qysh me u furnizua”, tha Gashi.
Nga Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” njoftuan se janë duke pastruar dhe shpërlarë linjat magjistrale dhe sekondare. (Fjalinë e mbuloj me këtë grafikë)
“Shumë shpejt besojmë do të eliminohet kjo. Jemi në mënyrë që të mos mbetet sasi e manganit në tubacione primare dhe sekondare”, thuhet në përgjigjen e KRU “Prishtina”.
Për mungesën e ujit të pijshëm është diskutuar edhe gjatë punimeve të seancës plenare.
“Kjo situatë është pasojë e një neglizhence të qëllimshme, një paaftësie e cila është bërë normë në këtë qeveri që po luan me shëndetin dhe jetën e qytetarëve të saj”, tha Floretë Zejnullahu, deputete e PDK-së.
Dy ditë më parë, për vlerën e lartë të manganit në Liqenin e Badocit u fol edhe në mbledhjen e Komisionit për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim.
Mirëpo, kur Ganimete Musliu, nga PDK-ja kërkoi që Inspektorati të inspektojë të gjitha lokalet e gastronomisë që furnizohen nga ky liqen, Fitore Pacolli nga Vetëvendosja ndërpreu mbledhjen e komisionit.