Deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, ka kritikuar zhvillimet në Kuvendin e Kosovës, duke e cilësuar si alarmante mungesën e transparencës dhe qasjen e Lëvizjes Vetëvendosje.
Tahiri ka thënë se shqetësues është edhe informacioni se mediat nuk janë lejuar të hyjnë brenda në Kuvend për ta përcjellë seancën.
“Besoj që aktiviteti është publik dhe besoj që dikush edhe nga mediat…”, ka deklaruar Tahiri.
Ai ka akuzuar pushtetin se ka shkelur kushtetutën, duke iu referuar nenit 66 të Kushtetutës, aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe Rregullores së Punës së Kuvendit.
“Sot, dikush që di shkrim e lexim e ka të qartë që neni 66 i Kushtetutës është shkelur, flet për 30 ditë. Aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese, respektivisht neni 140 që flet për këtë çështje, thotë se nuk trajtohet vetëm nisja si proces, por duhet të ndodhë konstituimi për 30 ditë”, ka thënë ai.
Tahiri ka shtuar se është dashur të respektohej edhe Rregullorja e Punës së Kuvendit, që seanca të ftohej brenda 48 orësh.
“Këta e kanë shkelur rendin kushtetues me dy këmbët. Krejt kjo është me ble kohë. Po për çka po ju vlen koha, unë nuk e di”, është shprehur Tahiri.
Ai ka paralajmëruar se situata politike mund ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të reja, duke e cilësuar këtë si shqetësim serioz për funksionimin institucional të Kosovës.





