Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pasi, drejtori i Agjencisë për Siguri dhe Informacion i Serbisë (BIA), Aleksandar Vulin, është futur në listën e sanksioneve amerikane.
Ai tha se “ne si Kosovë nuk ia dëshirojmë të keqen askujt”, teksa shtoi se Vulin akuzohet për avancimin e korrupsionit brenda institucioneve serbe.
“Shefi i shërbimeve sekrete të Serbisë, ish-ministri i brendshëm dhe aleati kryesor e kyç i Vuçiqit është sanksionuar sot nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nuk na bëhet qejfi që në pozita qeverisëse në Serbi ka kriminelë, sepse ne si Kosovë nuk dëshirojmë të keqen e askujt. Qejfi do të na bëhej po të kishim politikanë të përgjegjshëm, mendjehapur dhe të pakorruptuar te të gjithë vendet fqinjë”, shtoi ai.
“Aleksandar Vulin bartës i pozitave kyçe në shtetin serb akuzohet për avancimin e korrupsionit brenda institucioneve serbe, trafikimin e armëve e krimin e organizuar transatlantik e më e rëndësishmja “përdorimi i pozitave publike për të mbështetur Rusinë, për të lehtësuar aktivitetin malinj të Rusisë që degradon sigurinë dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor dhe i ofron Rusisë një platformë për të përhapur më tej ndikimin e saj në rajon””, theksoi Sveçla.
I pari i MPB-së tha se Vulini është vetëm njëra nga lidhjet e Beogradit me Moskën, “vetëm njëri nga ndërmjetësit që bëjnë bashkë Vuçiqin e Putinin”.
“Kohët e fundit Vulini kishte marrë pjesë dhe në “konferencën e sigurisë” të organizuar në Moskë. Kjo është thjesht prova dhe dëshmia e radhës se Serbia, për sa kohë udhëhiqet nga një politikë e pa-demillosheviqizuar, shërben si vegël e Rusisë për destabilizim të Ballkanit.
Klika e përfaqësuar nga Vuçiqi e Vulini e aleatët e tyre janë sputnikë të Kremlinit edhe pse vazhdimisht luajnë lojën e “të paangazhuarve”. Me rëndësi është dhe të kujtojmë që Vulini, i sanksionuar sot nga SHBA-të, njihet dhe si një nga promotorët kryesorë të idesë të “Botës Serbe”, frymëzuar nga ideja e “Botës Ruse””, tha ai.
“Në korrik 2021, Vulin thoshte: “Që Bota Serbe të bëhet, Serbia duhet të jetë e suksesshme ekonomikisht, të udhëhiqet mirë, të ketë një ushtri që është e aftë ta ruajë atë dhe serbët pa marrë parasysh se ku jetojnë. Për të ruajtur një Serbi të tillë duhet të bëjmë gjithçka për të vazhduar politikën e Aleksandër Vuçiqit”. Ende deri më sot Vuçiqi dhe udhëheqësit e Serbisë nuk janë distancuar nga projekti kërcënues “Bota Serbe”, nuk janë distancuar nga Rusia, nga krimet e të shkuarës, e as nga Millosheviqi. Ata ende udhëhiqen nga politikat e proklamuara nga Vulini, që sot u sanksionua nga SHBA”.