Një rast i rëndë ka ndodhur dje në qytetin e Ferizajt. Një burrë dyshohet se ka therur me thikë katër persona që ishin kalimtarë të rastit.
Burri Ekrem Sadiku që u arrestua dje se i dyshuar për rastin sot është liruar, pasi, sipas Prokurorisë ai nuk ka qenë i përfshirë në therjen e katër personave.
Kështu ka konfirmuar Shukri Jashari, kryeprokurori i Ferizajt.
“Personi që fillimisht është dyshuar – nuk ka qenë ai – është zbuluar gjatë hetimeve. Sot është arrestuar personi kryesor i dyshimit. Arrestimi i tij ka ndodh në orën 04:00 të mëngjesit”, tha Jashari për Gazetën Sinjali.
“Personi i parë i arrestuar dhe i liruar dhe ky që është arrestuar sot – nuk kanë asnjë lidhje me njëri-tjetrin”, shtoi tutje Jashari.
Ndryshe, rastet e therjes kanë ndodh në rrugët “Enver Topalli”, “Halim Spahija” dhe “Ejup Statovci”, në rrethana që akoma nuk dihen.
Të lënduar nga i dyshuari kanë mbetur dy vajza të mitura: M.M., 10 vjeçare; L.M., 15 vjeçare; V.H., 29 vjeçar dhe N.M., 32 vjeçar.
Në lidhje me këtë është deklaruar familjari i vajzave të mitura që e pësuan në këtë rast.
Jeton Emini ka deklaruar se rreth orës 15:15 personi i moshuar ka therur me thikë vajzat e mitura që ishin mysafir tek ai.
Madje ai tha se therja në këtë rast u bë pikërisht para derës së shtëpisë së tij.
Tre nga të lënduarit janë dërguar në QKUK për trajtim të mëtutjeshëm, ka njoftuar drejtori i Klinikës Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Naser Syla.
Për gjendjen e tyre ka folur mbrëmë edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.
“Janë katër të lënduar, dy në gjendje më të rëndë. Një vajzë ka qenë në gjendje jashtëzakonisht të rëndë, por pas intervenimit të mjekëve dhe futjes në sallën operative, gjendja e saj tash është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë”, tha ministri Vitia.