Ushtria ukrainase tha se ka zmbrapsur dhjetëra sulme ruse në Bahmut, Avdijivka, Marijinka dhe Shahtar, që gjenden në lindje të vendit, gjatë 24 orëve të fundit.
Ushtria ruse ka kryer 30 sulme ajrore dhe tri me raketa, dhe ka kryer 50 sulme me raketahedhës në 24 orët e fundit, tha ushtria ukrainase.
Ky njoftim i ushtrisë ukrainase vjen pasi dhjetëra shtete që e mbështesin Kievin në luftën kundër forcave pushtuese ruse u mblodhën në Gjermani të premten, për të diskutuar për ndihmën e mëtejme ushtarake për Ukrainën, transmeton atvlive.tv.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, tha se aleatët e Kievit besojnë se Ukraina ka nevojë urgjente për aftësi të mbrojtjes ajrore.
Grupi i Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës përbëhet nga përfaqësuesit e rreth 50 shteteve që ofrojnë mbështetje ushtarake për Ukrainën.
Ministria e Jashtme ruse reagoi për takimin në Gjermani duke paralajmëruar për një garë “të pakontrolluar” armësh.
Ndërkohë, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, në adresimin e tij të bërë të premten tha se detyra kryesore e shtetit të tij është të rimarrë territoret e okupuara nga Rusia.
Zelensky tha se ushtria është duke krijuar njësite të reja luftimi, teksa pritet që të nis kundërofensiva ndaj forcave ruse, që kanë okupuar disa pjesë të Ukrainës.
Ai gjithashtu falënderoi partnerët perëndimorë që u takuan në Gjermani të premten, për ndihmën që i kanë ofruar Ukrainës që ajo ta mbrojë veten, teksa tash e 14 muaj po përballet me agresionin rus. /atvlive.tv