Parlamenti Studentor i Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë ka bërë thirrje për protestë paqësore të premten, më 10 prill, në orën 12:00, në Sheshin e Qytetit të Pejës, si reagim ndaj gjuhës së urrejtjes, fyerjeve dhe kërcënimeve të fundit ndaj ish-komandantit të UÇK-së në Dukagjin, Ramush Haradinaj.
Në njoftimin e tyre, studentët theksojnë se rastet e fundit të deformimit të historisë së Republikës së Kosovës dhe sulmet verbale ndaj figurave të luftës çlirimtare janë të papranueshme dhe cenojnë kujtesën kolektive dhe dinjitetin e shoqërisë.
Ata u bëjnë thirrje qytetarëve, studentëve, profesorëve dhe të rinjve që t’i bashkohen protestës paqësore për të mbrojtur të vërtetën historike, për të kundërshtuar gjuhën e urrejtjes dhe për të reaguar ndaj çdo përpjekjeje për shtrembërimin e historisë së Kosovës.
Protesta do të mbahet më 10 prill, në orën 12:00, në qendër të Pejës.






