Komuna e Mitrovicës ka njoftuar qytetarët se gjatë periudhës 14 deri më 17 prill 2026 do të zhvillohen aktivitete ushtarake në poligonin manovrues të fshatit Cerrnushë, nga Regjimenti i Tretë i Këmbësorisë i Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Sipas njoftimit, këto aktivitete do të realizohen në kuadër të angazhimeve të rregullta të FSK-së, ndërsa qytetarëve u është bërë thirrje për kujdes dhe bashkëpunim gjatë kësaj periudhe.
Autoritetet komunale kërkojnë nga qytetarët që të shmangin lëvizjen në zonën ku do të zhvillohen aktivitetet, të mos përdorin rrugët që çojnë drejt poligonit dhe lapidarit të UÇK-së, si dhe të respektojnë udhëzimet e personelit në terren.
Ky njoftim, sipas komunës, ka për qëllim garantimin e sigurisë së qytetarëve dhe zhvillimin e mbarë të aktiviteteve të planifikuara.






