Këngëtari kosovar, Labinot Rexha, gjatë ditës së djeshme, përmes një postimi në facebook ka thënë ai e ka identifikuar një serb i cili ia kishte torturuar babain e tij para 25 vitesh.
Në një lidhje të drejtpërdrejt në emisionin STUDIO A në ATV, Labinot Rexha ka treguar se çfarë kishte ndodhur në ditën kritike kur ia morën babain nga duart e tij, ditë kjo të cilët ai thotë se nuk mund ta harrojë asnjëherë.
“Ka qenë data përafërsisht 22-25 korrik 1998, nuk më kujtohet saktë data, ora ka qenë 10:00 i mëngjesit, në post-bllokun e dytë në hyrje të Rahovecit, kemi qenë me një veturë Golf 1, ka pasur edhe “prekolicë” ku kanë qenë rreth 25 anëtarë të familjes tonë, ka ardhur ky Trajko me kriminelë të tjerë, ata të tjerët nuk i kam njohur, e kanë marrë nga duart e mia babain tim, para mamit tim, gjyshit tim. Kur e kanë liruar babanë tim, nuk e kam njohur sepse aq shumë e kanë rrahur sa që nuk njihej. Pas nja 10-15 ditë e kanë liruar dhe përsëri e kanë marrë në Nish. Në burgun e Nishit e kanë maltretuar shumë, e kanë liru pas një kohë pasi ka paguar për m’u liru, dhe pas një kohe kanë ardhur në Zvicër, por për shkak të maltretimeve, torturave të bëra nga ky personi dhe personat e tjerë për të cilët unë nuk kam informata por vetëm për këtë. Jemi 25 dëshmitar, babi i im mbas tre viteve ka vdekur për shkak të pasojave të burgut”, rrëfen Labinoti.
Ai thotë se nga ajo ditë, tash e 25 vite vazhdon ta këtë një ankth të vazhdueshëm për shkak të tmerrit që ka përjetuar atë ditë.
“Kam pasur ankth që një muaj. Me qenë se kam pasur ankth dhe stres dhe një gastrofobi të brendshme që nuk kam mundur ta menaxhoj veten gati 25 vite. Kohën e fundit m’u paraqitke babai i im sikur të ishte në dhomën time të gjumit që ai sikur me thoshte që ‘ende nuk e ke kryer amanetin që duhet me e kry”. Unë nuk dua ta marrë hakun, ta vraj atë, por le ta vret drejtësia. Sot në Evropë, në Kosovë dhe në gjithë botën ekziston drejtësia, ekziston gjykata, ekziston prokuroria. Nëse nuk ekzistojnë këta të tjerët, nëse janë zhdukur, ekziston drejtësia e Zotit”, thotë Labinoti. /atvlive.tv