Kandidati për kryetar të Komunës së Kllokotit, Sreçko Spasiç nga Nisma Qytetare “Uniteti Kombëtar Serb”, ka njoftuar më 3 nëntor se i është bashkuar Listës Serbe dhe nuk do të marrë pjesë në raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të komunës, i planifikuar të mbahet më 9 nëntor.
Në një deklaratë, Spasiç tha se të gjithë energjitë dhe burimet e nismës qytetare do t’i përkushtojë fitores së Listës Serbe, të cilën e cilësoi “familja politike që bashkon popullin serb në Kosovë”.
“Njëkohësisht, unë, Sreqko Spasiq, dëshiroj të njoftoj opinionin publik dhe të gjithë qytetarët e komunës së Kllokotit se tërhiqem nga gara zgjedhore dhe nuk do të marr pjesë në rundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të komunës së Kllokotit që do të mbahet më 9 nëntor. Me gjithë forcën dhe energjinë time, së bashku me anëtarët e deritanishëm të ‘Unitetit Kombëtar Serb’, e tashmë anëtarë të Listës Serbe, do të përkushtohemi për fitoren e Listës Serbe”, u tha në njoftim.
Lista Serbe ka mirëpritur vendimin e tij, duke e quajtur atë “dëshmi të pjekurisë dhe përgjegjësisë politike”.
Ndërkohë, Valmir Elezi nga Komisionin Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se tërheqja e Spasiçit nuk ndikon në zhvillimin e raundit të dytë.
“Sipas procedurave dhe afateve të vendosura nga KQZ, afati i fundit për tërheqjen e kandidatëve nga gara zgjedhore ishte data 2 shtator 2025. Rrethi i dytë i zgjedhjeve për kryetar të komunës së Kllokotit vazhdon me emrat e dy kadidatëve që kanë fituar më së shumti vota në rundin e parë”, tha Elezi.
Sipas rezultateve preliminare nga raundi i parë në Kllokot, Bozhidar Dejanoviq i Listës Serbe fitoi 893 vota ose 41.38 për qind, ndërsa Sreçko Spasiç mori 674 vota ose 31.23 për qind.
Kllokoti është e vetmja komunë me shumicë serbe ku zhvillohet balotazhi, pasi në nëntë komunat e tjera Lista Serbe fitoi qysh në raundin e parë të zgjedhjeve më 12 tetor.







