I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Peter Sorensen, gjatë qëndrimit në Kosovë, të mërkurën, ka takuar edhe komandantin e Misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR-it, Ozkan Ulutas.
“Takimi u përqendrua në situatën e sigurisë në Kosovë, stabilitetin rajonal dhe mbështetjen e vazhdueshme të KFOR-it për dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, u tha në njoftimin e KFOR-it, të enjten.
Gjatë takimit Ulutas, ka nënvizuar përkushtimin e gjatë dhe të palëkundur të NATO-s dhe BE-së për të punuar në harmoni me qëllim të konsolidimit të një mjedisi të qëndrueshëm dhe të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe për stabilitetin rajonal.
Sorensen, të mërkurën, gjatë qëndrimit në Kosovë takoi edhe zëvendëskryeministrin në detyrë të Kosovës, Besnik Bislimin, ku ky i fundit i kërkoi diplomatit danez nisjen urgjente të punës së Komisionit të Përbashkët për Personat e Zhdukur
“Bislimi theksoi gjithashtu se duhet të trajtohet me urgjencë dhe vëmendjen e merituar çështja e personave të zhdukur me dhunë, në mënyrë që të fillohet edhe me punën e Komisionit të Përbashkët, gjersa e kemi një marrëveshje të dakorduar nga dhjetori i vitit të kaluar”, thuhet në njoftimin për shtyp të Zyrës së Kryeministrit.
Sorenseni nuk është deklaruar ende për takimin me Bislimi.
Ndryshe, vizita e Sorensenit vjen pas identifikimit dhe zhvarrimit të mbetjeve mortore të katër personave në varrezat e lagjes Hajvali në Prishtinë, të cilat dyshohen se i përkasin personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë në vitit 1998-1999./ATVLIVE/