Kalo te përmbajtja
Të fundit

Real Madridi kërkon dorëheqjen e Javier Tebasit: Përplasja mes tyre ashpërsohet

Nga Gazetar i verifikuar i ATV

Shto ATV në Google(hapet në dritare të re)

Ndaj

Ndani këtë artikull përmes

Ose kopjo linkun

Real Madridi kërkon dorëheqjen e Javier Tebasit: Përplasja mes tyre ashpërsohet

Real Madridi ka kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të Javier Tebasit nga posti i presidentit të LaLigës dhe ai i zëvendëspresidentit të Federatës Spanjolle të Futbollit, pas deklaratave të tij lidhur me strategjinë mediatike të klubit madrilen.

Përmes një komunikate zyrtare, gjiganti spanjoll ka reaguar ashpër ndaj krahasimeve që, sipas klubit, Tebasi ka bërë mes strategjisë së televizionit zyrtar të Real Madridit, RMTV, dhe metodave të propagandës naziste të Joseph Goebbelsit.

Reklamë

Drejtuesit e klubit madrilen i kanë cilësuar këto deklarata si “absolutisht të papranueshme” dhe tejet serioze, duke pretenduar se ato synojnë të dëmtojnë imazhin e klubit, drejtuesve të tij dhe kanalit televiziv.

“Real Madridi konsideron absolutisht të papranueshme dhe tejet serioze që një person që mban dy pozitat me përgjegjësinë më të lartë në futbollin spanjoll të përdorë krahasime të tilla me qëllim diskreditimin e klubit tonë”, thuhet në komunikatën e klubit.

Në reagimin e tij, Real Madridi ka vënë gjithashtu në pikëpyetje neutralitetin, respektin dhe paanshmërinë e Tebasit, duke theksuar se deklaratat e tilla, sipas vlerësimit të klubit, nuk përputhen me përgjegjësitë që bartin pozitat e tij drejtuese.

Për këtë arsye, klubi madrilen ka kërkuar largimin e menjëhershëm të Tebasit nga të dyja pozitat.

Përplasjet mes Real Madridit dhe presidentit të LaLigës kanë qenë të shpeshta gjatë viteve të fundit, për çështje që lidhen me menaxhimin dhe të ardhmen e futbollit spanjoll.

Reagimi i fundit dëshmon se raportet mes palëve vazhdojnë të jenë të tensionuara, ndërsa mbetet të shihet nëse Javier Tebasi do t’i përgjigjet kërkesës së klubit madrilen.

Reklamë

Kolegji AAB – ne fund pas kutise ‘mos e humb as nje lajm’