Një pjesëtar i forcave speciale të ushtrisë amerikane është arrestuar pasi dyshohet se ka përdorur informacione sekrete për të vënë baste mbi një operacion ushtarak që çoi në arrestimin e ish-presidentit venezuelas, Nicolas Maduro.
Sipas autoriteteve amerikane, ushtaraku – i identifikuar si Gannon Ken Van Dyke – ishte i përfshirë në planifikimin dhe zbatimin e operacionit dhe kishte qasje në informacione të klasifikuara.
Ai i përdori këto të dhëna për të vendosur baste prej 33 mijë dollarësh në platformën e parashikimeve Polymarket, duke fituar rreth 400 mijë dollarë, shkruan Reuters.
Prokurorët thonë se ai kishte vënë bast se forcat amerikane do të ndërhynin në Venezuelë dhe se Maduro do të rrëzohej nga pushteti, duke shfrytëzuar njohuritë e brendshme për rezultatin e operacionit.
Ai është akuzuar për disa vepra penale, përfshirë mashtrim financiar, përdorim të paligjshëm të informacionit qeveritar dhe transaksione të paligjshme monetare.
Rasti konsiderohet si një nga rastet e para të “insider trading” të lidhur me tregjet e parashikimeve.
Autoritetet theksojnë se përdorimi i informacionit të klasifikuar për përfitim personal përbën shkelje serioze të ligjit dhe të besimit që u jepet pjesëtarëve të ushtrisë.






