Një ngjarje e paprecedentë ka tronditur basketbollin në Maqedoninë e Veriut! Klubi i njohur KB Shkupi është përjashtuar nga të gjitha garat, vendim që është konfirmuar nga vetë klubi përmes një reagimi publik.
Në njoftimin e tyre zyrtar, Shkupi e quan këtë vendim “skandal të madh”, duke fajësuar Federatën e Basketbollit të Maqedonisë së Veriut për trajtim të padrejtë dhe selektiv.
“Vetëm KB Shkupi suspendohet nga Federata e Basketbollit e Maqedonisë së Veriut. Nga të gjitha ligat… Shkaku është borxhi prej 590.000 denarësh. Arsyeja e vërtetë është mosmarrja e fondeve nga Ministria e Sportit, të cilat klubi kishte të drejtë t’i përfitonte. Madje, një anëtar i bordit nga partia Vlen votoi për suspendim,” – thuhet në reagimin e klubit.
Për momentin, Federata nuk ka dhënë ende një qëndrim zyrtar, ndërsa në opinion po qarkullojnë akuza për ndikime politike dhe mungesë transparence në procesin e vendimmarrjes.
Ky përjashtim ka shkaktuar tronditje në komunitetin sportiv, duke ngritur pyetje serioze për mënyrën si po menaxhohen fondet dhe rregullat në basketbollin maqedonas.
Nëse situata nuk zgjidhet, Shkupi rrezikon të humbasë të gjithë sezonin – një goditje e rëndë për klubin dhe sportin vendor.