Eksperti i çështjeve të sigurisë, Agim Musliu ka reaguar pas situatës së krijuar sot në Zveçan, ku janë djegur vetura të Policisë.
Ai ka theksuar se është përgjegjësi e Perëndimit, Bashkimit Evropian dhe SHBA-së që ta kontrollojë situatën.
Ai ka shkruar se është përgjegjësi e vendit që t’i kryejë detyrat sipas ligjit.
“Popujt që kanë liderë si këta (Putin, Millosh e Vuçiq), janë përgjegjës për dëmet që ua shkaktojnë popujve të tjerë – paqes e demokracisë. Dhe, meqë paqja në Evropë po rrezikohet nga një njeri si Putini, i cili tashmë e ka ndezur një luftë, Perëndimi e ka të obligueshme ta sigurojë atë edhe te ne. Nuk na kanë lejuar që të ecim me hapa të lirë, duke na “mbikëqyrur”, duke na këshilluar se si duhet të sillemi me proksit e Putinit dhe na kanë kushtëzuar në shtetndërtim! Është përgjegjësi e Perëndimit, Bashkimit Evropian dhe SHBA-së që ta kontrollojë situatën!. Është përgjegjësi e jona që t’i kryejmë, sipas ligjit, detyrat tona, pa na kapur as euforia e as paniku!”, ka shkruar Musliu në Facebook.
Të shtëna armësh janë dëgjuar në Zveçan, ndërsa janë djegur vetura të Policisë.
Policia e Kosovës ka përdorur gaz lotsjellës për t’i shpërndarë qytetarët e mbledhur para objektit të Komunës së Zveçanit.
Gjatë ditës, Policia e Kosovës ka njoftuar se po asiston kryetarët e zgjedhur për të hyrë në objektet komunale.
Kryetari i Zveçanit, ai i Leposaviqit dhe kryetari i Zubin Potokut, të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit, kanë kryer betimin të enjten (25 maj). Asnjëri prej tyre nuk është betuar në objektin e komunës përkatëse, përveç kryetarit të veriut të Mitrovicës.
Zgjedhjet në veri janë bojkotuar nga partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Serbe, me mbështetjen e Beogradit zyrtar.
Kryetarët paraprakë nga kjo parti, kanë dhënë dorëheqje nëntorin e vitit të kaluar. Ata janë larguar nga institucionet në shenjë pakënaqësie me vendimin e Qeverisë së Kosovës që ka obliguar qytetarët t’i kthejnë targat e veturave nga ilegale në ato të Republikës së Kosovës./KosovaPress