Përgatiti: Kastriot Tahiri
Më së shumti qytetarët e Kosovës i besojnë ushtrisë e policisë e më së paku qeverisë e partive poltike.
Në Studimin e Rinisë 2024, të Fondacionit Friedrich Ebert, i cili u publikua të martën, thuhet se 81 përqin të rinjtë i besojnë FSK-së, 74 policisë, 72 për qind, bashkësive fetare. Ndërkaq, besimi në qeverinë është 30 për qind, parlamentin 17 dhe partitë politike 9 për qind.
Këto gjetje për kryeministrin Albin Kurti, janë shqetësuese.
““Është pak shqetësuese gjetja që sot një pjesë e të rinjve janë të painteresuar dhe të painformuar për politikën. Historikisht rinia ka qenë gjithmonë nismëtare e vendimeve dhe kthesave të mëdha. E dimë rolin e saj në drejtimin e rrugës progresive dhe progresiste. Përmes reformave në sistemin arsimor, rritjes së buxhetit për arsimin, investimin e infrastrukturës arsimore dhe programi i themelimit të 12 profileve të mësimit dual, sfidat në arsim edhe po adresohen edhe po zbuten”, tha Kurti.
Drejtori i Zyrës së FES, Peter Hurrelbrink, tha se ky studim duhet të ofrojë bazë të mirë për politika konkrete dhe për të përmbushur nevojat dhe pritshmëritë e të rinjve në Kosovë.
“Shpresojmë që ky studim të ofrojë një bazë të mirë për politika konkrete, për t’i përmbushur më mirë nevojat dhe pritshmëritë e të rinjve këtu në vend. Kosova mund ta shfrytëzojë më mirë potencialin e rinisë së saj, dhe ky studim shpresojmë se do të japë disa sugjerime për këtë”, tha Hurrelbrink.
Që raporti duhet të shfrytëzohet për përmirësime në fushat që prekin rininë, e tha edhe Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.
“Ndryshe nga Gjermania, ju me të vërtetë keni një ndikim politik, për shkak të pothuajse 50 për qind të njerëzve nën 30 vjeç. Dhe mendoj se, për vendimmarrësit politikë, dhe disa prej tyre, dhe kryeministri janë këtu, është me të vërtetë e rëndësishme të dini se çfarë mund të bëni për çështjet si arsimi, punësimi ose mospërputhja midis kualifikimit dhe punës në të cilën jeni, kur nuk ka përputhe njëqind për qind”, tha Rohde.
Ndërkaq, në raport thuhet po ashtu se të rinjtë në Kosovë konsiderojnë se papunësia, korrupsioni dhe emigrimi do të jenë sfidë në dekadën e ardhshme.