13.8 C
Pristina
E hënë, 16 Shtator, 2024

Shtetet e QUINT-it kërkojnë lirimin e policëve dhe shtensionim të situatës

Policët që u rrëmbyen të mërkurën në Leposaviq kanë dalë të premten para një gjykate në Kralevë, e cila ua ka caktuar masën e paraburgimit, kohëzgjatja e së cilës nuk është bërë e qartë.

Pavarësisht zonës ku janë arrestuar policët, shtetet e QUINT-it ia kanë kërkuar Serbisë lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të tyre. Ndërkaq për KFOR-in vazhdon të mbetet e paqartë se ku ishin të tre policët e Kosovës kur u arrestuan dy ditë më parë
Të tre policëve të Kosovës, që u rrëmbyen nga njësitë policore e ushtarake serbe më 14 qershor, të premten u është shqiptuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh. Vendimin e mori një gjyqtar i procedurës paraprake në Gjykatën e Lartë në Kralevë pas kërkesës së prokurorit publik.

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, e ka kualifikuar këtë si rast të paprecedent dhe të papranueshëm.

“Fakti që Serbia agresore nuk do të ndalet me orkestrime të akteve të tilla, e dëshmojnë sulmet e njëpasnjëshme që kanë ndodhur sot gjatë ditës në veriun e vendit tonë. Në mëngjesin e sotëm bandat kanë sulmuar me shok-bomba stacionet policore në Zveçan dhe Mitrovicë të Veriut, është sulmuar një veturë e Policisë së Kosovës, është sulmuar vetura e ministrit Elbert Krasniqi që ndodhej në vizitë te kryetari Lulzim Hetemi, turma e bandave ka kaluar me lehtësi kordonin e sigurisë dhe ka ndërsyer objektin e komunës, si dhe janë sulmuar e rrahur brutalisht gazetarë e kameramanë të mediave tona”, ka shkruar Sveçla. “Të gjitha këto në më pak se 10 orë, të gjitha këto nga persona të njëjtë që pranojnë urdhra të tillë kriminalë nga persona të njohur për autoritetet tona e për publikun. Mungesa e reagimit ndaj këtyre akteve kriminale që cenojnë sigurinë e institucioneve tona, qytetarëve tanë e mediave tona, u jep krahë këtyre bandave që udhëzimet e urdhrat i marrin nga Beogradi”.

Avokati Arianit Koci ka thënë se ka biseduar me njërin prej kolegëve në Beograd të caktuar në rastin e të tre policëve kosovarë. Sipas tij, Prokuroria serbe ka vendosur që lëndën penale të të tre policëve kosovarë të kidnapuar – ta bartë prej Departamentit Special të Gjykatës së Lartë në Beograd, në Gjykatën Themelore në Kralevë. Sipas Kocit, bartja e rastit në kompetencë të Gjykatës Themelore do të thotë që policët e Kosovës do të ngarkohen për vepra penale për të cilat janë paraparë dënime më të buta.

Edhe avokati serb Qedomir Stojkoviq kishte shkruar për rastin më herët, duke thënë se ai duhet të vendoset gjatë mesditës të së premtes.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_imgspot_img
spot_img

LAJME TË TJERA