Shtëpia e Bardhë ka thyer heshtjen lidhur me një seri vdekjesh dhe zhdukjesh të pazakonta që përfshijnë shkencëtarë me qasje në projekte të ndjeshme ushtarake dhe hapësinore të SHBA-së.
Gjatë një konference për shtyp të mërkurën, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, u pyet për herë të parë mbi rastet e raportuara të dhjetë personave të lidhur me sekrete bërthamore ose hapësinore, të cilët janë zhdukur ose kanë vdekur në rrethana të paqarta që nga viti 2023.
Ajo nuk dha një përgjigje përfundimtare nëse administrata aktuale ishte në dijeni të një hetimi të koordinuar nga komuniteti i inteligjencës amerikane.
‘Ende nuk kam folur me agjencitë përkatëse për këtë çështje. Do ta verifikoj dhe do t’ju jap një përgjigje,” tha Leavitt.
Ajo shtoi se, nëse raportimet rezultojnë të sakta, çështja do të ishte “me siguri diçka që do të meritonte hetim”.






