Rrugët e Serbisë janë mbushur me grafite ku shkruhet “Kur të kthehet ushtria në Kosovë…”, që si slogan për herë të parë u pa në një ndeshje futbolli në të cilën mori pjesë edhe ish-ministri i Millosheviqit, presidenti aktual i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Ekspertja serbe e sigurisë që jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Ivana Stradner, duke shpërndarë një video ku shihet duke u punuar një lloj i tillë grafiti në një rrugë të Serbisë tha se kjo është e rrezikshme.
“Kështu funksionon lufta hibride. Është e rrezikshme”, shkroi ajo në Twitter.
Ndërsa, edhe eksperti kosovar i sigurisë, Agim Musliu, shkroi se kjo është rruga që ndjek një ish-ministër i propagandës e cila dy dekada më parë ishte ndërprerë nga NATO.
“E gjithë Serbia është mbushur me këtë lloj grafiti. Për këtë është i specializuar Vuçiq! Si ministër i propagandës së Millosheviqit, atij i pëlqen të vazhdojë rrugën e tij, të thyer nga NATO më 1999”, shkroi Musliu.
Reagime të ashpra ndaj parullave të tilla në Serbi ka pasur në Kosovë si dhe disa personalitete ndërkombëtare.