Dogana e Kosovës ka sekuestruar sot 110 litra vaj ulliri të padeklaruar, të vendosura në 22 bidona prej nga 5 litra secili.
Sipas njoftimit, zyrtarët doganorë në Pikën Kufitare Vërmicë kanë ndaluar një automjet për kontroll të dytë.
“Pasi personi përgjegjës kishte mohuar se kishte ndonjë gjë për të deklaruar, ndërsa gjatë kontrollit të detajuar në automjet janë gjetur 110 litra vaj ulliri të padeklaruar, të vendosura në 22 bidona prej nga 5 litra secili”, thuhet në njoftim.
Më tej thuhet se personi përgjegjës për mallrat e padeklaruara nuk posedonte faturë përkatëse, duke kryer kështu kundërvajtje doganore sipas nenit 244 të Kodit Doganor dhe të Akcizës së Kosovës (KDAK-së).
Dogana e Kosovës rikujton qytetarët dhe udhëtarët se janë të obliguar të deklarojnë saktësisht çdo mall gjatë hyrjes në territorin e vendit. Mosdeklarimi përbën shkelje ligjore dhe sjell masa ndëshkuese.