Vitamina E po rikthehet fuqishëm në qendër të vëmendjes, jo vetëm në kozmetikë, por edhe si një element kyç për shëndetin, jetëgjatësinë qelizore dhe ngadalësimin e plakjes.
Nuk është thjesht një trend kërkimet e fundit dhe rritja e tregut global tregojnë se njerëzit po e lidhin bukurinë me efektet që ndodhin “nga brenda” trupit.
Sipas mjekes Alejandra Mora, vitamina E është një mikronutrient i tretshëm në yndyrë, që absorbohet më mirë kur konsumohet së bashku me yndyrna të shëndetshme. Trupi nuk e prodhon vetë, ndaj duhet të merret përmes ushqimit ose suplementimit.
Vitamina E vepron si një antioksidant i fuqishëm, duke neutralizuar radikalet e lira që lidhen me plakjen e parakohshme dhe stresin oksidativ. Ajo ndihmon gjithashtu në formimin e qelizave të kuqe të gjakut, përmirëson hidratimin e lëkurës, ndihmon në riparimin e saj dhe forcon barrierën natyrale kundër dëmtimeve mjedisore dhe skuqjeve nga i ftohti. Përveç ndikimit te lëkura, vitamina E përmirëson forcën e flokëve, mbështet funksionin e qarkullimit të gjakut, forcon sistemin imunitar dhe mund të mbrojë neuronet, duke ndihmuar në ngadalësimin e rënies njohëse. Ajo ndihmon gjithashtu muskujt, duke ulur lodhjen dhe përmirësuar transportin e oksigjenit.
Ushqimet më të pasura me vitaminë E janë vajrat bimore të shtrydhura në të ftohtë, frutat e thata, farat, perimet si spinaqi, shpargujt dhe brokoli, si dhe fruta të tilla si avokado, kivi dhe mango. Një mënyrë e shpejtë për ta rritur marrjen është një grusht lajthish.
Për shkak se vitamina E tretet në yndyrë, rekomandohet të merret gjatë vakteve kryesore, për shembull me drekë ose mëngjes, duke e kombinuar me yndyrna të shëndetshme si avokado, fara ose pak vaj ulliri. Sasia e rekomanduar për një të rritur është rreth 15 mg në ditë, duke u fokusuar më shumë te rregullsia sesa doza e madhe e rrallë. Teprica mund të shkaktojë shqetësime të lehta ose të ndikojë në koagulimin e gjakut, veçanërisht tek personat që marrin ilaçe antikoagulante.
Mungesa e vitaminës E është e rrallë, por kur ndodh, shenjat mund të jenë kryesisht neurologjike, duke përfshirë humbje koordinimi, dobësi muskulore, mpirje dhe vështirësi në përqendrim. Mund të shfaqen gjithashtu probleme të lëkurës, lodhje dhe imunitet i dobët. Në raste të tilla, këshillohet konsultimi me mjekun dhe analiza përkatëse, ndërsa suplementimi bëhet me udhëzimin e profesionistit.






