Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, komentoi tensionet që pasuan pas takimit në Shtëpinë e Bardhë.
Rubio i doli në mbrojtje presidentit amerikan, Donald Trump dhe nënpresidentit JD Vance, duke përsëritur kritikat ndaj sjelljes së presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, gjatë takimit në Shtëpinë e Bardhë, ku ai vetë ishte i pranishëm.
Ai gjithashtu deklaroi se raportimet në media, ku pretendohej se Ukraina ishte lënë mënjanë, kishin shkaktuar pakënaqësi në administratën amerikane para takimit, shkruan cnn.
Rubio e përshkroi fjalimin e presidentit ukrainas si një “përpjekje të hapur për të minuar përpjekjet për të arritur paqen”.
Zyrtari i lartë amerikan përsëriti qëndrimin e zakonshëm se presidenti Trump është një “mjeshtër i negociatave” dhe se nuk do të “mashtrohet” nga një marrëveshje e keqe me Rusinë dhe Vladimir Putinin.
“Dyshoj se Zelensky është i gatshëm të thotë dhe të bëjë atë që është e nevojshme për të arritur në negociata”, shtoi Rubio.
Ai komentoi edhe raportimet e mediave që sugjeronin se Ukraina ishte lënë jashtë bisedimeve, duke theksuar se SHBA-ja është në kontakt të vazhdueshëm me zyrtarët ukrainas.
“Në 10 ditët e fundit, ata janë takuar me Sekretarin e Tregtisë, Sekretarin e Shtetit, Nënpresidentin, kanë biseduar në telefon me Trumpin dhe janë takuar me të në Zyrën Ovale. Kam folur tre herë me ministrin e Jashtëm ukrainas… Por ne vazhdojmë të lexojmë raportime që nuk janë të sakta, dhe megjithatë ato përsëriten vazhdimisht”, tha Rubio dhe shtoi “pikërisht kjo ka sjellë ndjenjën e sotme të fortë të zemërimit”.
Ndryshe, Zelensky ka deklaruar se nuk do t’i kërkojë falje Trumpit pasi nuk ka bërë asgjë dhe se ka mbrojtur interesat e vendit të vetë.