Autoritetet ruse kanë ndërmarrë hapa për të kufizuar përdorimin e aplikacioneve të njohura të komunikimit WhatsApp dhe Telegram, në përpjekje për të orientuar përdoruesit drejt një platforme të re mesazhesh të kontrolluar nga shteti.
Sipas një deklarate të WhatsApp, në pronësi të Meta Platforms, qeveria ruse ka tentuar të bllokojë plotësisht funksionimin e aplikacionit në territorin rus. Kompania thekson se ky veprim synon të detyrojë qytetarët të kalojnë në një aplikacion komunikimi të kontrolluar nga autoritetet shtetërore.
“Qeveria ruse u përpoq të bllokonte plotësisht WhatsApp për t’i shtyrë njerëzit drejt një aplikacioni mbikëqyrjeje në pronësi të shtetit”, thuhet në reagimin e kompanisë. Sipas saj, kufizimi i aksesit për mbi 100 milionë përdorues ndaj një mjeti privat komunikimi cenon sigurinë dhe lirinë digjitale të qytetarëve. WhatsApp ka bërë të ditur se po punon për të ruajtur lidhjen e përdoruesve me platformën.
Ndërkohë, edhe Telegram është përballur me masa kufizuese nga autoritetet rregullatore ruse, të cilat e akuzojnë platformën për shkelje të ligjeve vendase dhe për mosmarrje të masave të mjaftueshme kundër përdorimit të aplikacionit për qëllime terroriste.
Telegram, i themeluar nga sipërmarrësi rus Pavel Durov, mbetet një ndër aplikacionet më të përdorura në Rusi. Durov ka reaguar ndaj zhvillimeve, duke deklaruar se kufizimi i lirive nuk është zgjidhje dhe duke akuzuar Moskën se po përpiqet të imponojë një platformë shtetërore të dizajnuar për mbikëqyrje dhe censurë.
Autoritetet ruse po promovojnë aplikacionin “Max”, në pronësi të kompanisë VK, i cili funksionon që nga viti 2025. Platforma prezantohet si një “super-aplikacion” që ofron mesazhe, shërbime qeveritare dhe tregti online. Megjithatë, deri më tani nuk ka arritur të fitojë popullaritet të gjerë.
Kjo lëvizje vjen pas masave të mëhershme, përfshirë ndalimin e thirrjeve zanore përmes WhatsApp dhe Telegram gjatë verës së kaluar, duke sinjalizuar një kontroll gjithnjë e më të fortë mbi komunikimet digjitale në Rusi.






