Rruga e shpejtë për në NATO: “S’funksionon thjesht, duhet adresim i shqetësimeve”

PËRGATITI: FATLUM JASHARI

Një rrugë e shpejtë për anëtarësimin e Kosovës në NATO është përmendur nga liderë shtetërorë e partiakë viteve të fundit, veçmas ndërlidhur aspekte të sigurisë rajonale e globale.

Megjithatë, një proces i përshpejtuar duket vështirë i arritshëm, pa i përmbushur kërkesat e shteteve anëtare të aleancës veri-atlantike.

Mbështetja vetëm nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vlerësohet e pamjaftueshme nga ambasadori në Prishtinë, Jeffrey Hovenier.

“Qëndrimi i SHBA-së është i qartë. Ne e shohim Kosovën si anëtare të NATO-s në të ardhmen. Ne e mbështesim këtë dhe e mbështesim fuqimisht. Dëshirojmë ta shohim Kosovën duke përparuar. Ka anëtarë të NATO-s që nuk e kanë atë pikëpamje tani. Ne besojmë se mënyra më e mirë për t’u treguar atyre se kjo është rruga e duhur përpara, është të adresohen shqetësimet e tyre”, tha Hovenier.

Krahas lëvdatave për FSK-në dhe përmendjes së asaj që duhet të arrihet ende, në njërën anë, ambasadori përmendi edhe aspektet politike në anën tjetër.

“Një marrëdhënie e ripozicionuar mes Kosovës dhe Serbisë, adreson disa nga shqetësimet e shteteve anëtare të NATO-s që nuk e kanë njohur Kosovën ose kanë shqetësime të tjera. Pra, kjo do të thotë që kërkohet durim. Do të thotë që kërkohet punë e vështirë. Por, nuk ka asnjë mundësi të shpejtë që vetëm pse po përballeni me një kërcënim, atëherë duhet të bëheni anëtar i NATO-s. Thjesht, nuk funksionon kështu. Ne po kërkojmë përparim në dialog. Po kërkojmë përparim të mëtejshëm në reforma”, shtoi tutje ai.

Derisa komentet e diplomatit amerikan i vlerësoi realiste, eksperti i sigurisë Nuredin Ibishi, duke thënë se krahas kritereve ushtarake për anëtarësim është i pashmangshëm edhe aspekti i konsensusit politik.

“Kemi shtete anëtare të aleancës që nuk na kanë njohur, pastaj çështjet politike janë aspekti i sigurisë në përgjithësi dhe qëndrueshmërisë së institucioneve. Por, edhe raporti me Serbi, ngase ato duan që anëtarësimin ta kenë pa probleme politike, qoftë edhe me fqinj, në këtë rast me Serbinë”, tha njohësi i sigurisë, Nuredin Ibishi.

Përkundër përparësisë se FSK-ja, që nga themelimi, është në mbikëqyrje dhe koordinim me NATO-n, Ibishi vlerësoi se rruga nuk është e shkurtër.

“FSK-ja është në fazën të tranzicionit, në vitin 2028 përfundon fazën e tretë të tranzicionit dhe duhet edhe çështja tjetër, e anëtarësimit në Partneritetin për Paqe, që i paraprin anëtarësimit të plotë, e që ne ende nuk jemi”,deklaroi tutje Ibishi.

Në fund të muajit Maj, Asambleja Parlamentare e NATO-s avancoi statusin e Kosovës nga vëzhguese në anëtare të asociuar të këtij forumi të aleancës./atvlive.tv

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA