Paneli i Gjykatës së Apelit në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK), përbërë nga gjykatësit Mishelë Pikar, Kai Ambos dhe Nina Jorgensen, ka rrëzuar apelin e Pjetër Shalës kundër urdhrit për zhdëmtim të dhënë nga Trupi Gjykues.
Shala ishte shpallur fajtor për krime lufte, përfshirë ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje të paligjshme. Trupi Gjykues më 29 nëntor 2024 kishte urdhëruar Shalën të paguajë 208,000 euro si kompensim për dëmet fizike, mendore dhe materiale të tetë viktimave pjesëmarrëse.
Apeli i Shalës përmbante pesë pika, ku ai pretendonte gabime në interpretimin e ligjit, vlerësimin e provave dhe proporcionimin e shumës së zhdëmtimit, si dhe kërkonte pezullimin e shqyrtimit të urdhrit deri në përfundimin e aktgjykimit mbi fajësinë e tij.
Paneli i Apelit rrëzoi të gjitha pretendimet e Shalës, duke konstatuar se nuk kishte gabime në interpretimin e ligjit apo në vlerësimin e provave, dhe se procesi i zhdëmtimit nuk kishte cenuar të drejtën e tij për një procedim të drejtë dhe të shpejtë. Gjithashtu, gjykata vuri në dukje se kërkesa për pezullim ishte e tejkaluar pas lëshimit të aktgjykimit të Apelit më 14 korrik 2025.
Ky vendim i Apelit vërteton vlefshmërinë e urdhrit për zhdëmtim dhe i jep fund sfidimit ligjor të Shalës në këtë fazë.






