Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka njoftuar se për shkak të rrjedhjeve të ujit në pjesën e kanalit që është dëmtuar nga sulmi terrorist, për të ruajtur sigurinë e kanalit, ka qenë e domosdoshme të bëhet zgjidhje e re inxhinierike.
Rizvanolli tha se për të realizuar punët në kanal, furnizimi i kanalit me ujë është ndërprerë mbrëmë në mesnatë. Si rrjedhojë, sipas saj komunat që furnizohen me ujë nga Ibër Lepenci mund të kenë reduktime gjatë ditës së sotme.
“Intervenimet në kanal sapo kanë përfunduar dhe furnizimi i kanalit me ujë ka rifilluar, ndërsa nivelet e ujit në Termocentralin Kosova B janë monitoruar dhe kanë qenë të mjaftueshme përgjatë gjithë kohës. Sikurse edhe gjatë dy ditëve të kaluara, prioritet i parë do të mbetet furnizimi i mjaftueshëm i termocentralit me ujë për ftohje, për të zgjeruar pastaj furnizimin për KRU-të sa më herët që është e mundshme”, ka shkruar Rizvanolli.
Ministrja ka inkurajuar qytetarët të ndjekin njoftimet e Kompanive Rajonale të Ujësjellësit për informata të sakta rreth furnizimit me ujë.