Edhe pse migrimet e kafshëve janë të zakonshme, është regjistruar edhe një rast imigrimi – Grerëza Orientale, e njohur për rrezikshmërinë e saj, është rikthyer sërish në Kroaci pas më shumë se 50 vjetësh.
“Dihet që ka qenë e pranishme edhe më herët, por të dhëna në literaturë për shfaqjen e saj nuk ka pasur që nga vitet ’70 të shekullit të kaluar. Tani po kthehet përsëri në habitatin e saj të vjetër. Në zonën e Splitit është vërejtur rreth lokacionit Kashtela, në një gurthyes,” raporton Dnevnik.
Para disa vitesh, kjo grerëz është parë edhe në Trieste, prej nga ka kaluar kufirin me Slloveninë.
Grerëza Orientale është e ngjashme me atë evropiane për nga madhësia, por ndryshon në ngjyrë. Veçanërisht e rrezikshme është në këtë periudhë të vitit, pasi pickimi i saj mund të shkaktojë reagime të rënda alergjike, madje edhe vdekje tek personat e ndjeshëm.
Ekspertët këshillojnë që në rast takimi me këtë insekt të mos tentohet kapja apo vrasja e tij me duar, por të largohemi nga vendi dhe, nëse ka pickim, të kërkohet ndihmë mjekësore.
Gjithashtu, theksojnë se pas pickimit është e rëndësishme që menjëherë vendi të shpëlahet me sapun dhe ujë, të aplikohet një antiseptik, e më pas të vendoset një kompresë e ftohtë.