Deputetja boshnjake nga Partia e Re Demokratike, Emilia Rexhepi, ka njoftuar se është arrestuar një i dyshuar për vrasjen e aktivistit boshnjak Shefko Salkoviq, e cila ndodhi në vitin 2010 në Leposaviq.
Rexhepi ka theksuar se arrestimi i të dyshuarit, Jugosllav Petroviq, 16 vjet pas krimit, është një sinjal i rëndësishëm që shteti i Kosovës nuk i harron viktimat e strukturave kriminale.
“Pas 16 vjetësh nga krimi, arrestohet një person (Jugosllav Petroviq), i dyshuar për vrasjen e Shefko Salkoviqit dhe plagosjen e kolegut të tij. Ky hap paraqet një sinjal të rëndësishëm dhe pozitiv se shteti i Kosovës, përkundër pengesave të shumta politike dhe të sigurisë, nuk i harron viktimat e strukturave kriminale dhe se ka vullnet institucional për të hedhur dritë edhe në rastet më të vështira”, ka shkruar Rexhepi në Facebook.
Deputetja ka theksuar rëndësinë e drejtësisë dhe përkushtimin e institucioneve për të zbardhur rastet e vështira, edhe pas shumë viteve nga kryerja e veprës penale.
Ky zhvillim shihet si një sinjal i qartë për mbrojtjen e të drejtave të viktimave dhe përparimin e institucioneve të drejtësisë në Kosovë.






