Një rrahje e shoqëruar me të shtëna me armë zjarri ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës në rrugën “Vëllezërit Gërvalla” në Ferizaj.
Policia bën të ditur se përveç përleshjes fizike ndërmjet dy personave, ka pasur edhe të shtëna me armë zjarri. Një person ka pësuar lëndime trupore si pasojë e përleshjes, jo nga arma e zjarrit.
Në vendin e ngjarjes është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri si dhe tri gëzhoja.
Siç raportohet i përfshirë në këtë përleshje është reperi Betim Januzi, i njohur Buta.
I njëjti është arrestuar rreth orës 22:05.
“Ju njoftojmë se rreth orës 22:05, kemi pranuar informacion për lokacionin e të dyshuarit B.J., i cili ka njoftuar se do të dorëzohet.
Menjëherë është angazhuar njësiti policor, i cili në rrugën “Halim Spahija” në Ferizaj ka arrestuar të dyshuarin. Për shkak të lëndimeve në dorë dhe është dërguar në Emergjencën e Ferizajt për tretman mjekësor”, ka thënë policia.






