Përgatiti: Nora Luta
Pakoja ligjore e hartuar tashmë për reformën në drejtësi, do të mund të përfundojë për vlerësim në Komisionin e Venecias.
Për këtë janë pajtuar Ministria e Drejtësisë, Këshilli Prokurorial dhe ai Gjyqësor.
“Ju njoftojmë se të gjitha institucionet njëzëri janë pajtuar që pakoja e ligjeve të dërgohet në Komisionin e Venecias”, tha Bedri Gashi, zyra për Komunikim me Media – KPK.
Ministria e Drejtësisë përmes një përgjigje me shkrim, ka treguar se kjo mundësi është marrë parasysh, bazuar edhe në rekomandimet nga Raporti i fundit i Komisionit Evropian për vendin.
Megjithatë, Iniciativa e arritur për hartimin e disa ligjeve për reformën në drejtësi, ndërmjet institucioneve përgjegjëse, ka dështuar të realizohet brenda këtij mandati qeverisës.
Duke u potencuar rëndësia e procedimit tutje, si hap tjetër qenësor i reformës në drejtësi, si dhe duke marrë parasysh edhe rekomandimet e dala nga Raporti i fundit i Komisionit Evropian për Vendin, në takim është diskutuar për rëndësinë, por edhe mundësinë e konsultimit të kësaj pakoje ligjore tashmë të finalizuar, me Komisionin e Venedikut. I tërë procesi ka marrë kohën e nevojshme deri në finalizim, për shkak që për çdo projektligj, në kuadër të kësaj reforme, paraprakisht në njërën anë, janë përgatitur analiza të thelluara, të cilat janë pasuar me raporte dhe rekomandime që kanë shërbyer si bazë për nismat ligjore përkatëse, kurse, në anën tjetër, të njëjtat janë shqyrtuar dhe janë diskutuar me palët e interesit, përfshirë këtu edhe procedimin në dy cikle të konsultimeve: paraprake dhe me publikun.
Nga shoqëria civile, teksa e konsiderojnë të domosdoshme që ligjet t’i nënshtrohen vlerësimit të Komisionit të Venecias, theksuan se rekomandimet e këtij komisioni nuk janë gjithmonë në përputhje me Kushtetutën.
Pakoja për reformën në drejtësi përfshin Projektligjin për vettingun, për përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, atë për Akademinë e Drejtësisë, për ndryshimin e ligjit për Këshillat dhe për Nëpunësit Civil në Administratën e Gjykatave dhe Prokurorive.