Dëbora e parë e këtij dimri ka zbardhur Razmën, duke e kthyer fshatin alpin të Shkodrës në një prej pikave më të vizituara të fundjavës. Në zemër të Alpeve Shqiptare, në rreth 900 metra lartësi, Razma ofron pamje mbresëlënëse mes maleve, pyjeve të dendur dhe lëndinave alpine, të cilat sot shihen të mbuluara me një shtresë të bardhë bore.
Pamje nga vizitorët që shijojnë borën e parë u ndanë sot edhe nga kryeministri Edi Rama, duke sjellë pak nga atmosfera e fshatit turistik që ndodhet rreth 40 kilometra larg Shkodrës.
Rruga panoramike që të çon drejt Razmës është vetë një eksperiencë për t’u shijuar, ndërsa mbërritja në këtë zonë të qetë malore ofron mundësi për aktivitete dimërore, shëtitje, sporte dhe fundjava relaksuese mes natyrës.
Razma vijon të tërheqë çdo vit e më shumë turistë vendas dhe të huaj, falë ajrit të pastër, mikpritjes së banorëve dhe investimeve në bujtina e agroturizme që e kanë kthyer këtë zonë në një destinacion të kërkuar në çdo stinë.







