Kryetari aktual i Prishtinës dhe kandidati për një mandat të dytë nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Përparim Rama ka ndarë video – incizim për projektet e realizuara gjatë 4 viteve, përfshirë: rikonstruksionin e mbi 500 rrugëve me ndriçim publik smart, krijimin e hapësirave të gjelbëruara dhe modernizimin e transportit urban.
Rama premtoi se nëse rizgjidhet do të vijojë me instalimin e ngrohjes qendrore në Bregun e Diellit 2, transformimin e hapësirave publike dhe zgjerimin e ndriçimit në pjesët e larta të qytetit.
Kurse në Fushë Kosovë, kandidati Besnik Osmani zhvilloi takim me qytetarët ku I falenderoi për mbështetjen e tyre.
Osmani prezantoi edhe planet e tij për mandatin 2026–2029, duke përfshirë ndërtimin e tre parkingjeve nëntokëspre përmes partneritetit publiko-privat.
Në Obiliq, Xhafer Gashi, i cili kandidon për një mandat të ri, përkujtoi përkushtimin e tij ndaj fermerëve dhe zhvillimit bujqësor, duke garantuar mbështetje të vazhdueshme për kultivimin dhe zhvillimin e kulturave bujqësore.
Në Pejë, kryetari në detyrë Gazmend Muhaxheri, kandidat edhe për një mandat rikujtoi investimet në hapësira publike duke modernizuar ndriçimin, gjelbërimin dhe kubëzimin te Qendra Zejtare.
Sokol Haliti, kryetar i Vitisë që kërkon vote edhe për një mandat, zhvilloi një takim me veteranët e UÇK-së, familjet e dëshmorëve dhe organizatën e invalidëve të luftës. Ai falënderoi për sakrificën e tyre dhe tha se përkushtimi i tij është ta çojë përpara amanetin e tyre për qytet dhe komunitet, me punë, zemër dhe dashuri për atdheun.







