Pas deklarimeve të bëra nga hoxha Behar Mjekiqi në emisionin “Libero” në ATV, se është liruar nga akuza për dhunë në familje dhe se procedura penale ndaj tij ka përfunduar, për portalin Atvlive ka reaguar avokatja e palës së dëmtuar, Dr. Albulena Ukimeri.
Reagimi i plotë:
Në cilësinë e përfaqësueses ligjore të palës së dëmtuar, lidhur me paraqitjen televizive të z. Behar Mjekiqi në emisionin tuaj: “LIBERO”, ndjejmë obligim profesional dhe ligjor të ju drejtohemi që të sqaroni opinionin publik për disa deklarime faktikisht të pasakta.
Gjatë paraqitjes në emisionin LIBERO, më datë 07.01.2026, z. Mjekiqi ka deklaruar se është “liruar” dhe se “procedura ndaj tij ka përfunduar”, duke u thirrur në një aktgjykim të Gjykatës Themelore në Prishtinë të datës 06.01.2025, aktgjykim i shkallës së parë.
Më lejoni të ju informoj se ky aktgjykim nuk është i formës së prerë (përfundimtar), pasi ndaj tij është ushtruar Ankesë brenda afatit ligjor dhe çështja aktualisht ndodhet në shqyrtim e sipër në Gjykatën e Apelit.
Për rrjedhojë, paraqitja e këtij rasti si i përfunduar është juridikisht e pasaktë dhe krijon informim të gabuar për publikun.
Po ashtu, deklarimet publike të të akuzuarit Mjekiqi, të bëra në një fazë kur procedura është ende në zhvillim, mund të perceptohen si përpjekje për të ndikuar në opinionin publik dhe rrjedhimisht, si presion i papërshtatshëm ndaj Gjykatës së Apelit, e cila është autoriteti i vetëm kompetent për të vendosur përfundimisht mbi këtë çështje.
Rikujtojmë se rasti ka të bëjë me pretendime serioze për dhunë fizike, të dokumentuara përmes raportit policor dhe ekzaminimit mjekësor dhe se deklarimet e tilla publike rrezikojnë të shkaktojnë viktimizim sekondar të palës së dëmtuar.
Në këtë kontekst, vlerësojmë se transmetimi i deklarimeve që paraqesin një procedurë penale ende të hapur si të përfunduar, pa verifikim të statusit procedural dhe pa balancim me qëndrimin e palës tjetër, nuk i shërben standardeve të gazetarisë së mirëfilltë dhe informimit të saktë të publikut.
Mediat, veçanërisht në raste të ndjeshme që kanë të bëjnë me dhunën në familje, kanë rol thelbësor në ruajtjen e paanshmërisë, saktësisë dhe përgjegjësisë profesionale, duke shmangur krijimin e narrativave të njëanshme që mund të dëmtojnë procesin e drejtësisë dhe dinjitetin e viktimave.
Në përputhje me standardet profesionale të informimit dhe të drejtën për reagim, kërkojmë publikimin e këtij demantimi në të njëjtën platformë ku janë transmetuar deklarimet e sipërpërmendura dhe të na mbani të informuar
Me respekt,
Dr. Albulena Ukimeri
Avokate – Res Publica Group
Përfaqësuese ligjore e palës së dëmtuar






