Rasti i 26-vjeçares që vdiq pasi iu keqësua gjendja gjatë intervistimit në stacion, Policia dhe Prokuroria japin detaje

Policia e Kosovës në bashkëpin me Prokurorinë Themelore në Prizren, kanë dalë me një sqarim lidhur me vdekjen e 26-vjeçares, e cila ndërroi jetë në spitalin e Prizrenit, pasi i ishte përkeqësuar gjendja shëndetësore derisa po intervistohej nga policia.
Sipas njoftimit të Policisë e Prokurorisë, 26-vjeçarja ishte ndaluar më 15 nëntor në Vërmicë, së bashku me një person tjetër, gjatë një operacioni të Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë.
Reklamë
“Ata po udhëtonin me një veturë të tipit BMW me targa lokale, ku gjatë kontrollit policia ka gjetur dhe konfiskuar 105.7 gramë substancë të dyshuar si kokainë, dy fishekë të kalibrit 9×19 mm dhe dy telefona celularë. Pas ndalimit, me urdhër të prokurorit është bastisur edhe shtëpia e të dyshuarit mashkull, ku është gjetur dhe konfiskuar një detektor për identifikimin e GPS-ve dhe kamerave”.
Policia ka bërë të ditur se të dyshuarve u është caktuar avokati mbrojtës dhe se, gjatë fillimit të intervistimit të saj në prani të avokatit, 26-vjeçares i është përkeqësuar gjendja shëndetësore.
“Për të është kërkuar ndihma emergjente nga Spitali i Përgjithshëm Rajonal në Prizren. Pas dhënies së ndihmës së parë në vendngjarje, ajo është transportuar në spital për trajtim të mëtejshëm. Megjithatë, rreth orës 01:30, policia është njoftuar nga mjekët se e dyshuara kishte ndërruar jetë”, thuhet në njoftim.
Lidhur me rastin janë njoftuar njësitë përgjegjëse hetimore, Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) dhe prokurori kujdestar.
“Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i 26-vjeçares është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, pas përfundimit të veprimeve fillestare hetimore dhe sigurimit të dokumentacionit mjekësor”.
Reklamë









