Përgatiti: Kastriot Tahiri
Fare pak përpjekje për të përmirësuar cilësinë në arsim ka bërë Kosova, shkruan në Raportin e Progresit të publikuar të mërkurën.
Dhe në mesin e rekomandimeve përmendet rishikimi i teksteve shkollore dhe vlerësimi i mësimdhënësve.
Megjithatë, sipas ish-zëvendësministrit të Arsimit, Dukagjin Popovci, kritikat janë kryesisht të njëjtat me raportet e mëhershme. Por, shton ai, pak po punohet në përmirësimin e gjendjes.
“Në raportin e progresit e përmendet strategjia, dhe bëhen kritika për moszbatimin e saj, janë masa që parashihet me strategji por ka ngecje. Për numrin e inspektorëve për 23 mijë mësimdhënës e po ashtu po dështojnë konkurset, duhet bërë përpjekje për përmirësim”, tha Popovci.
Shqetësuese gjetjet e raportit i cilëson edhe njohësi i arsimit, Egzon Gashi.
“Fatkeqësisht kritikat janë me vend, nëse e shohim sistemin e arsimit, treguesit na tregojnë se jemi mbrapa jo vetëm në gjithë botën e po edhe rajon, fëmijët tanë nuk po trajtohen qysh duhet, dhe reflektohen edhe në punësim e edukim, duhet bërë reforma drastike, duhet me u prekë themeli i arsimit për me u ba ndryshime të mëdha”, tha Gashi.
Kritika ndaj Kosovës pati edhe për numrin e madh të të rinjve të papunë, e që nuk ndjekin arsimimin e lartë ose trajnime.
Megjithatë, Raporti vlerëson se Kosova, po bën përpjekje për të përmirësuar cilësinë e arsimit, ndonëse ka shënuar pak përparim në zbatimin e strategjisë së arsimit për vitet 2022-2026.
Për hapat që do t’i ndërmarrë MASHTI lidhur me përmirësimin e cilësisë së arsimit, ATV-ja adresoi pyetje në zyrën për informim në këtë dikaster, megjithatë askush nuk u përgjigj.