Rama: Pozicioni i vetëdobësuar diplomatik i Kosovës po i vështirëson përpjekjet tona

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi se pozicioni i vetëdobësuar diplomatik i Kosovës dhe sipas tij gabimet e Prishtinës zyrtare në procesin e dialogut po vështirësojnë përpjekjet e Shqipërisë. Ai përsëriti kërkesën e tij që KFOR-i të marrë në kontroll veriun, meqë sipas tij forcat ekzistuese të kontrollit të kufirit janë krejt të pamjaftueshme. Rama foli në seancën e Kuvendit të Shqipërisë ku po diskutohet për agresionin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.

Kuvendi i Shqipërisë po mban interpelancë me kryeministrin Edi Rama, të ftuar nga deputeti demokrat Kreshnik Çollaku. Interpelanca është ftuar me arsyetimin “dhënien e informacioneve dhe shpjegimeve lidhur me qëndrimin zyrtar të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, hapat që parashikohen të ndërmerren dhe qëndrimet në raport me zhvillimet e pritshme në marrëdhëniet ndërshtetërore në Ballkan”.

Në këtë seancë, Rama teksa foli për agresionin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, u shpreh se lajmi i vrasjes së policit Afrim Bunjaku ishte bombë që shpërtheu me forcën tronditëse.

“Ai agresion i nxori sërish thonjtë e krizën të veriut të Kosovës dhe ja nguli më fortë se asnjëherë mu në fyt procesit të dialogut, normalizimit, shtet-njohjes përfundimtare të Republikës së Kosovës. Shfaqja ogurkeqe e hijes së përgjakshme të së shkuarës me armë dhe me uniforma ushtarake në skenën e ngarkuar me frymën e ekstremizmit nacionalist serb, armatimet e trafikuara për sulm, jo për vetëmbrojtje dhe thasët e financimeve kriminale në veriun e Kosovës ishte si kronika e zezë e një vdekje të paramenduar. Lajmi i vrasjes së efektivit të Policisë së Kosovës në krye të detyrës ishte si një bombë, që shpërtheu me forcën tronditëse të një sinjali pa ekuivok, përshkallëzimit të konfliktit në atë skenë ku prej kohësh tani më prodhohet tensioni që kthen dhe rikthen prapësht sistematikisht procesin e dialogut, normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë, e ndez llambën e vjetër të krizës ballkanike në sytë e botës demokratike”, deklaroi ai.

Zhvillimet e mëtejme, siç tha Rama, kishin pamjen e materialit arkivor nga lufta e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë.

“Fundi i ngjarjes ishte shembullor, falë veprimeve të forcave të sigurisë së Kosovës, të cilat nuk ranë në kurthin e ngritur prej organizatorëve, por me gjakftohtësi të admirueshme dhe me profesionalizëm të lartë e neutralizuan rrezikun e zgjerimit dhe zgjatjes së paparashikueshme të konfliktit, duke iu përgjigjur në mënyrën më të mirë dhe më të drejtë të mundshme të provokimit djallëzor të grupit kriminal serb. Ndërsa, epilogu i ngjarjes, shpallja e zisë kombëtare nga autoritetet e Beogradit për kriminelët e eliminuar nga forcat e sigurisë së Kosovës pasi i morën jetën një polici të Republikës së Kosovës, ishte shëmbëlltyra e gjallë e hijes së së shkuarës e cila bashkëjeton me Serbinë qysh nga disfata e saj finale e vitit 1999 në Kosovë, si hija që e ndjek kudo njeriun sapo del drita”, shtoi ai para deputetëve shqiptarë”, theksoi Rama.

Kryeministri shqiptar theksoi se për herë të parë Shqipëria nuk u linjëzua me deklaratën e Bashkimit Evropian.

“Prisnim një deklaratë të dytë të BE-së ku do të dënoheshin qoftë organizatorët e agresionit kriminal, qoftë organizatorët e zisë kombëtare në Beograd dhe të kërkohej fillimi i menjëhershëm i një hetimi ndërkombëtar. Na shpjeguan se kohët dhe procedurat e BE-së nuk e mundësonin dot një deklaratë të dytë. Sipas nesh e domosdoshme paralelisht në të njëjtën kohë me të parën. Kështu që si përfundim ne nisëm mesazhin zyrtar të mos linjëzimit me deklaratën e parë. Për herë të parë në marrëdhëniet tona me Bashkimin Evropian. Një mos linjëzim me politikën e jashtme të BE-së nuk është një fjalë goje, për një vend kandidat që negocion anëtarësimin në BE dhe që përgatitet në javët e ardhshme të nis me një prej pjesëve të negociatave që lidhet pikërisht me politikën e jashtme”, theksoi Rama.

Tutje, Rama tha se pozicioni i vetëdobësuar diplomatik i Kosovës në sytë e BE-së dhe ShBA-së e bëjnë të vështirë përpjekjen e Shqipërisë.

“Ne nuk bëmë një gjest konsumi të brendshëm elektoral, siç janë prej kohësh tanimë dhe fatkeqësisht e them me keqardhje një sërë gjestesh të qeverisë në Prishtinë në raport me dialogun e normalizimit, përfshirë edhe ndaj qeverisë sonë përmes zërash të dytë dhe të tretë. Por mbajtëm një qëndrim parimor dhe politik në funksion të nxitjes së Brukselit për të siguruar një përqapje serioze për një qëndrim të unifikuar të 27 vendeve anëtare, jo thjesht lidhur me ngjarjen dhe me qëndrimin e papranueshëm të Beogradit ndaj ngjarjes, jo thjesht me fjalë por edhe me masa kuptimplote në adresë të Serbisë, por edhe lidhur me çfarë vjen, çfarë mund të vijë dhe çfarë duhet të vijë nesër. Pozicioni i vet dobësuar diplomatik i Kosovës në sytë e BE-së dhe ShBA-së gjithashtu, si dhe vetë viktimizimi diplomatik i Serbisë në ato sy falë dhuratave politike të marra bujarisht gabimet e Prishtinës zyrtare në procesin e dialogut e bëjnë jo të lehtë këtë përpjekje nga ana jonë, e kemi vazhduar në çdo instancë”, përfundoi ai.

Kryeministri shqiptar, Edi Rama u shpreh se Kosova po rrezikon ta humbas shansin historik, siç e quajti ai, që i jep plani franko-gjerman.

“E kam thënë në samitin e NATO-s, mbi domosdoshmërinë e marrjes së kontrollit të veriut të Kosovës nga KFOR-i. Fokusimi tek suksesi dhe jo te dështimi i planit tejet të favorshëm franko-gjerman dhe dhënies drejtim të atij asociacioni të komunave me shumicë serbe sepse është një nyje, e cila pikërisht pse ka marrë proporcione komplet të pa merituara për substancën që e ka, nuk duhet të mbahet si një litar në këmbë që veç e pengon Kosovën në rrugën e saj dhe veç e largon objektivin për tu bërë pjesë e OKB-së, BE-së. Ajo nyje duhet të këputet, ai litar duhet këputur një orë e më parë. Nuk duhet shkencë këtu, duhet vetëm logjikë e ftohtë elementare për të kuptuar se ai asociacion duke mos u bërë është kthyer në një litar”, potencoi ai.

Teksa përmendi edhe deklaratën e tij në samitin e NATO-s për kontrollin e veriut, ai shtoi se është sulmuar nga një “armatë e hedhur në veprim”.

“Këtyre thirrjeve të zakonshme momentesh të pazakonshme, këtë herë ju shtuan edhe piskamat për sovranitetin e kërcënuar nga kërkesa ime e përsëritur për NATO-n që KFOR-i të marrë në kontroll veriun. Ku kufiri me Serbinë është katandisur prej vitesh në një rrjetë të çarë ngado, prej nga hyjnë sërbes armatime, drogë, dreqi me të birin, ndërkohë që forcat ekzistuese të kontrollit të kufirit janë krejt të pamjaftueshme”, përfundoi Rama.

Rama shtoi se KFOR-i do të vazhdojë të qëndrojë në Kosovë meqë “nuk ka ku të shkojë, deri kur dialogu të ketë garantuar paqen përfundimtare”.

Në këtë seancë parashihet edhe një mocion me debat dhe miratimi i projektrezolutës në mbështetje të Kosovës.

Debati pritet të zgjasë minimalisht 5 orë, ndërsa nga seanca e kaluar ka pasur përplasje të forta me opozitën që ka kritikuar mazhorancën për mënyrën se si e ka trajtuar “24 shtatorin”, ndërsa për partinë në pushtet opozita kërkon të bëjë politikë me Kosovën. /KP

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_imgspot_img
spot_img

LAJME TË TJERA