Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se çdo automjet që transporton mbeturina pa kontratë me NPL “Gjelbër” do të gjobitet dhe mund t’i konfiskohet automjeti.
Përmes një postimi në Facebook, Rama ka bërë të ditur se Inspektorati Komunal dhe Policia e Kryeqytetit janë angazhuar me të gjitha kapacitetet për të luftuar hedhjen ilegale të mbeturinave në hapësirat publike.
Ai ka theksuar se hedhja e mbeturinave ndërtimore dhe vëllimore në qytet është e ndaluar.
“Hedhja e mbeturinave ndërtimore dhe vëllimore në Kryeqytet është e ndaluar! Çdo automjet që bart mbeturina të çfarëdo lloji dhe nuk ka kontratë me NPL “Gjelbër” do të gjobitet dhe mund t’i konfiskohet automjeti. Inspeksioni Komunal dhe Policia e Kryeqytetit janë të angazhuar me të gjitha kapacitetet për të luftuar hedhjen ilegale të mbeturinave në hapësirat publike.
Masat ndëshkuese për shkelësit përfshijnë: gjoba, konfiskim të automjeteve që përdoren për transportimin dhe hedhjen ilegale të mbeturinave”, ka shkruar Rama.
Ai po ashtu ka bërë thirrje për bashkëpunim nga qytetarët.
“Nëse shihni qytetarë ose biznese që hedhin materiale ndërtimore, sanitari, mobilje, goma, xhama apo çfarëdo mbeturinash të natyrës vëllimore dhe ndërtimore në Kryeqytet, ju lutemi ta lajmëroni Policinë ose Inspekcionin e Komunës në 038 220985”, ka përfunduar ai.






