Këta kontejnerë në Kodrën e Trimave, janë shkolla e vetme shqipe në Mitrovicë të Veriut. Për 17 nxënësit e Shkollës fillore “Aziz Sylejmani”, me kryetarin e ri, siç duket ka shpresë.
“Për shembull, shkolla që është në Kodër të Minatorëve e cila nuk punon në kushte adekuate. Pastaj janë disa projekte infrastrukturore. Janë disa rrugë që nuk janë asfaltuar. Edhe këtu në Lagjen e Boshnjakëve është një rrugë, tha kryesuesi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës Veriore, Nedzad Ugljanin.
Problem tjetër që pritet të ketë zgjidhje është edhe kompensimi për dëmet që shkaktuan vërshimet.
“Ne e kemi prurë edhe një vendim për 300 mijë euro për dëmet e vërshimeve, edhe janë 65 shtëpi dhe biznese dhe jemi në pritje”, tha Ugljanin.
Megjithatë, qytetarët e Mitrovicës së Veriut nuk kanë njohuri për kryetarin e ri që vjen nga radhët e Vetëvendosjes dhe nuk presin ndryshime të mëdha.
“S’besoj se do të ketë ndonjë ndryshim të ri. Uroj që të jetë më mirë, por nuk besoj. Nuk e di, madje as kush është kryetari i ri dhe gjasat që situata të përmirësohet janë të vogla”, tha një qytetar.
“Unë nuk e di kush ka qenë kryetar i komunës, por nëse unë jam punëtori, burri i fjalës dhe i punës, nuk ka lidhje kush është udhëheqësi, e rëndësishme është që të punojmë së bashku”, tha një tjetër qytetar.
Mitrovica e Veriut në dy vjetet e ardhshëm do të udhëhiqet nga Erden Atiq, i cili fitoi 553 vota ose 66.09%.
Ndërkohë, kryetari paraprak, Milan Radojevic, dha dorëheqje me 6 nëntor të vitit të kaluar. /atvlive.tv