Qeveria po përgatitet për zgjedhjet e reja në lokale në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – por, vetëm përmes iniciativës së qytetarëve dhe pas votimit për shkarkim të kryetarëve aktualë.
Pa dhënë detaje se çfarë saktësisht është duke u bërë, kryeministri Albin Kurti tha se institucionet do të sigurohen që baza ligjore për shkaktimin e zgjedhjeve të reja në këto katër komuna, të jetë gati sa më shpejtë të jetë e mundur.
Meqë asnjëherë më parë nuk janë shkaktuar zgjedhje referuar Nenit 72 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, kryeministri Kurti tha se nuk e di sa kohë merr plotësimi i bazës ligjore e procedurale dhe procesi zgjedhor.
“Ne çfarë po punojmë në këto ditë dhe do të vazhdojmë të punojmë edhe gjatë muajve të gushtit, kur është pushim në institucione, është që të sigurohemi që kjo përvojë e re që do të kemi, me ndërprerjen e mandateve të katër kryetarëve në veri, të ketë mbështetjen dhe garancitë ligjore dhe procedurale. Pra, duhet të sigurohemi që procesi i këtillë, që do të jetë përvojë e re për ne, të jetë aq i sigurt sa që i pasfidueshëm në kuptim legal dhe juridik”, tha Kurti.
Detaje nuk dha as ministri Elbert Krasniqi, i cili iu referua vetëm legjislacionit ekzistues.
“Baza ligjore, e cila del dhe buron nga Ligji për Vetëqeverisje Lokale, për të cilën unë kam kompetencë të flasë, tjerat pastaj janë në kompetencë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”, tha Krasniqi.
Pasi theksoi se shkaktimi i zgjedhjeve të reja përmes iniciativës qytetare, votimit për shkarkim të kryetarëve merr kohë, Selatin Kllokoqi nga D+, thekson se KQZ-ja duhet të plotësojë disa akte të brendshme para se të shkohet me këtë formë.
“Mirëpo edhe këtu është një pengesë, sepse parashihet që kjo proceduralisht të rregullohet me rregullore nga KQZ-ja, e cila nuk është e rregulluar. Pra, hipotetikisht nëse do të ndodhte që kryetarët të mos japin dorëheqje, procedura e shkarkimit do të kërkonte kohë… Dhe, pjesa tjetër është edhe KQZ-ja duhet të aktivizohej që të aprovonte rregulloret e caktuara, të cilat e rregullojnë këtë çështje”, tha Kllokoqi.
Si hap për deeskalim, Qeveria mbështetë zgjedhjet e reja në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës – por vetëm në pajtim me kuadrin ligjor dhe kushtetues, jo përmes dorëheqjes së kryetarëve të zgjedhur më 23 Prill.
Qeveria, po ashtu, e lidhë procesin e ri zgjedhor me heqjen e masave ndëshkuese nga Bashkimi Evropian. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: