14.1 C
Pristina
E premte, 10 Maj, 2024

Qëndrime të kundërta për emisarin e BE së, Konjufca: Lajçak po artikulon pozicione të Serbisë

Përgatiti: Armand Hoti

Kryeparlamentari Glauk Konjufca, njëherësh edhe numri dy i partisë në pushtet, ripërsëriti qëndrimin e shefit të tij, në raport me rolin e emisarit special të Bashkimit Evropian për lehtësimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak.

“Është vërejtur me thënë të drejtën, qysh në fillim, që Lajçaku qëndrimet të cilat i artikulon më shumë janë, le të themi, ato marrje e pozicionit të Serbisë fillimisht e pastaj përpjekje që përmes mekanizmave të ndryshëm edhe formulimeve që ai i qet në zgjidhjet që i propozon, të mundë të jenë pikënisje e pozicionit të Serbisë, si të mundë të akomodohet në mënyrë sa më të përshtatshme pozicioni i Serbisë… Tash Lajçak po thotë që aty është vetëm Asociacioni. Njohja i përket Serbisë kur do ajo, do të thotë ky është pozicion i Serbisë”, tha Konjufca.

Por, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffery Hovenier, theksoi sot se ShBA-ja beson në të deleguarit e BE-së, për lehtësimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve.

“SHBA-ja ka besim të plotë në BE-në në ndërmjetësimin e saj të dialogut, SHBA-ja ka besim të plotë në përfaqësuesin e lartë të BE-së, Josep Borrell, dhe përfaqësuesin e posaçëm për dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçak, si zbatues objektivë të kësaj politike”, tha Hovenier.

Në fjalën e tij në kuadër të Samitit për Paqe dhe Demokraci, ambasadori Hovenier tha se implementimi i marrëveshjes së Brukselit me aneksin e zbatimit për të cilin palët u dakorduan në Ohër, ndihmon Kosovën drejt integrimit të saj në institucionet euro-atlantike.

“Është e rëndësishme që të gjithë aktorët në këtë operacion, në këtë proces, të pranojnë procesin në të cilin janë dhe të luajnë poker me letrat që u kanë rënë. Dhe të kenë në mendje këtë vizion, puna për normalizimin e raporteve, për zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit dhe të Aneksit, nga të dyja palët, gjë që është pritja jonë, është rruga përpara. Kjo e sjell Kosovën më afër vizionit që ne ndajmë për integrimin e plotë në strukturat euro-atlantike”, tha Hovenier.

Edhe Christian Ramet, këshilltari i emisarit Lajçak, ishte pjesë e Samitit për Paqe dhe Demokraci.

Në të, ai përmendi se Bashkimi Evropian po kërkon nga palët të fillojnë pa e vonuar implementimin e marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit. Ai potencoi se tash tre muaj pas dakordimit të arritur Ohër, ende nuk është bërë asnjë progres në zbatimin e marrëveshjes.

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_imgspot_img
spot_img

LAJME TË TJERA