Një ngjarje e rëndë është shënuar mbrëmjen e kaluar në qytetin e Durrësit, ku është plagosur me armë zjarri personazhi i njohur i rrjetit social TikTok, Fabion Kuçi, i njohur ndryshe si GUCCI.
Incidenti ka ndodhur në lagjen nr. 9, e njohur si Lagjja e Re. Pas ngjarjes, i plagosuri është transportuar menjëherë në spital, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën.
Policia ka bërë me dije se autori i dyshuar është identifikuar dhe po punohet intensivisht për kapjen dhe arrestimin e tij. Ndërkohë, hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Fabion Kuçi rezulton me precedentë penalë jashtë vendit, ku më herët ka qenë i dënuar në Angli për vepra të ndryshme penale, duke vuajtur edhe dënim me burg. Ai ishte rikthyer në Shqipëri vetëm disa muaj më parë dhe ishte bërë mjaft aktiv në TikTok, ku shpesh përfshihej në debate dhe përplasje virtuale me figura të tjera si Kozak Braçi dhe Xhemal Ujka (Fire).
Autoritetet po mbledhin dëshmi dhe prova, ndërsa u bëjnë thirrje qytetarëve që kanë qenë dëshmitarë të ngjarjes në Lagjen e Re të bashkëpunojnë me policinë për ndriçimin e plotë të saj.






