Kur kanë mbetur vetëm edhe një javë deri në përmbylljen e seancave të Kuvendit për sesionin pranveror, një javë ka kaluar edhe pa mbajtjen e seancave të këtij institucioni.
Megjithatë, pavarësisht sfidave të javëve të fundit nga partia në pushtet thonë se puna e Kuvendit nuk do të ndalet, madje sipas tyre, në mënyrë të suksesshme.
“Kuvendi do të vazhdojë punën, sepse kështu është në kornizën e jetës sonë demokratike. Kuvendi duhet të funksionojë edhe nëse nuk funksionojnë institucionet të tjera. Duhet me pasë parasysh edhe opozita dhe ata të tjerët që bëjnë këso kërcënime. E para është jo që po e frikësojnë ndokënd, pasi nuk është duke u mbërri efekti. E dyta, Kuvendi e ka një rol të veçantë në jetën tonë demokratike, pasi e ruan një lloj balance në shoqëri, prandaj është e rëndësishme të kuptojnë këtë”, tha deputeti i LV-së, Armend Muja.
Veç kësaj, deputeti Muja, akuzoi edhe partinë më të madhe opozitare, PDK-në për shkaktim të tensioneve, pas siç tha ai humbjeve të privilegjeve të dikurshme.
Por, të kundërtën e thonë opozitarët, që kanë fajësuar ekzekutivin se po tenton t’i mbulojë dështimet e veta.
“Polarizimi rrjedh si rezultat i mosrealizimit të objektivave shtetërore të qeverisë. Në kuadër të dështimeve të tyre edhe politike, sferën ekonomike dhe atë të legjislacionit, tanimë është orvatur që përmes zëvendëskryeministrit dhe ministrave të caktuar të provokojë opozitën. Parimisht ka dy vjet që opozita ka qenë më shumë sesa e heshtur konstruktive, pasi vetëm në pjesën e legjislacionit kemi dhënë kontributin tonë maksimal që të tejkalohen sfidat që ballafaqohet shteti”, tha deputeti i PDK-së, Ferat Shala.
Mospajtimet pozitë – opozitë të përkthyera edhe në dhunë së fundmi, sipas atyre që monitorojnë institucionin e Kuvendit, po e cenojnë punën e rregullt nëpër seanca.
“Ajo çka ka ndodhur në seancën e kaluar të Kuvendit të Kosovës është si pasojë e polarizimit të skajshëm ndërmjet pozitës dhe opozitës, sidomos qeverisë dhe opozitës. Padyshim kjo ka ardhur si pasojë e një gjuhe të përdorur në legjislaturat e kaluara por edhe në këtë legjislaturë. Çdo aktivitet i tillë e cenon punën e rregullt në seancë plenare…Kuvendit i kanë mbetur shumë punë të pakryera deri në mbylljen e sesionit pranveror. Me nivelin e punës që e ka karakterizu këtë sesion, mund të themi se nuk dallon shumë nga ai i vitit të kaluar kur kemi thënë se Kuvendi ka pas perfomancës shumë të dobët”, tha Naim Jakaj, monitorues i kuvendit.
Kësisoj deri më tani, puna e kësaj legjislature, nga monitoruesit e Kuvendit po vlerësohet si tejet e dobët. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: