Politikanja nga Maqedonia e Veriut, Saranda Imeri Stafai, është aktive në politikë që nga viti 2013. Në vitin 2024 ajo mori mandatin si deputete, ndërsa në dhjetor të po këtij viti u zgjodh kryetare e Forumit të Gruas.Përveç angazhimit politik, Saranda ka një të kaluar artistike. Që në moshë të re është marrë me muzikë dhe në moshën 15-vjeçare incizoi albumin e saj të parë.
Së fundmi, ajo ishte e ftuar në emisionin “Libero” në ATV, ku foli për jetën e saj personale, rrugëtimin nga muzika në politikë dhe sfidat që gratë përballin në këtë fushë.
Gjatë intervistës, Saranda tregoi pse zgjodhi politikën dhe sa e vështirë ishte për të përshtatja në këtë ambient sfidues.
“Politika ka qenë gjithmonë prezente në shtëpinë time. Unë këtë pasion e kam trashëguar nga babai… Të kalosh prej një fushe që ka të bëjë vetëm me të bukurën, me muzikën, me harenë, në një fushë ku kërkohet seriozitet dhe qasje tjetër, ishte e vështirë, mirëpo me ndihmë, me përkrahje, e adaptova… Mua më vjen keq se sakrifikova profesionin tim, pasionin tim për muzikën, që të angazhohem në politikë, sepse jo çdo kush pajtohet me ideologjinë tënde… Dhe ajo sikur krijon njëfarë hutie dhe një dozë urrejtje nga publiku, gjë e cila nuk kisha dashur të ndodhë asnjëherë,” tha ajo.
Vlen të theksohet se Saranda Imeri Stafai ka përfunduar studimet për Gjuhë Angleze dhe Letërsi. Ajo ka marrë pjesë në festivale muzikore si “Nota Fest”, “Polifest” dhe “Netët e Klipit”, ku është nderuar me çmime të ndryshme. Gjatë periudhës së studimeve, ka punuar edhe për organizata të ndryshme, përfshirë OSBE-në, ku ka shërbyer si përkthyese gjatë kohës së luftës në Kosovë.
Për ta dëgjuar intervistën e plotë të Saranda Imeri Stafai, klikoni linkun e mëposhtëm: