U mblodhën në protestë për të katërtën herë me radhë.
Kërkesa e banorëve të fshatit Gllarevë të Komunës së Klinës dhe tre fshatrave përreth mbetet e njëjtë: ndërtimi i autostradës Prishtinë-Pejë, të mos devijohet nga magjistralja aktuale, ku rreth 50 biznese janë të vendosura.
“Jemi këtu sepse po dojnë me na ndal bukën e gojës. Ne i kemi bizneset në atë rrugë”, thotë Tahir Abazaj, banor.
Mirëpo, gjatë protestës ata u kujdesën t’ia rikujtonin kryeministrit Albin Kurti një deklaratë të tijën që lidhej me këtë temë.
“Ne po e shqyrtojmë mundësinë që të bëjmë zgjerimin e rrugës ekzistuese, sepse kjo mund të realizohet me gjysmë çmimi”, tha Kurti.
Derisa për shqetësimet e protestuesve, është e informuar edhe Ministria e Infrastrukturës, premtimet e dhëna nga ky dikaster, në protestën e mëparshme, sipas banorëve, nuk janë përmbushur.
“Kemi dërguar dokumente. Jemi takuar me zëvendësministrin, i cili na ka thënë që do të dalë në terren, por gjithçka gënjeshtër”, tha Dalib Morina, protestues.
Pas rreth katër ore pritjeje, përfaqësuesit e protestuesve u takuan me zyrtarë të kabinetit të kryeministrit. Nga takimi dolën me shpresë.
“Jemi takuar me asistenten, shefen e kabinetit dhe sekretarin e kryeministrit. Ishin të informuar lidhur me rastin dhe do të dalin në terren për të parë çdo gjë nga afër”, tha përfaqësuesi i punëtorëve, Sheremet Pantina.
Ndërkaq, nëse kërkesat e tyre nuk realizohen, protestuesit thanë se do të merren masa të tjera, deri në bllokimin e magjistrales Prishtinë – Pejë, përkatësisht në aksin Kijevë – Zahaq. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve e gjeni në videon më poshtë: