Përgatiti: Besmire Kluna
“Punëtorët nuk janë mall”, ishte thirrja që brohoriste për një orë sa zgjati një protestë para Kuvendit.
Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist dhe organizata “Përpjekja” protestuan edhe një herë në shenjë solidarizimi me punëtoret teknike të cilat hynë në grevë që nga 16 shtatori.
Sërish u theksua se paga prej 275 eurove sa marrin ato nuk mjafton as për mbijetesë.
“Përderisa punëtoret ka 2 muaj që po qëndrojnë jashtë në oborrin e Kuvendit, atje brenda deputetët kanë filluar ta shpallin njëri-tjetrin tradhtar në mënyrë që ta projektojnë heroin te vetja, lojë e zakonshme kjo që e bëjnë gjithmonë përpara zgjedhjeve”, tha Yll Islami nga organizata “Përpjekja”.
Sipas tij, kompania që fitoi tenderin për mirëmbajtjen e Kuvendit ka ofertuar me ofertën me të lirë në kurriz të punëtoreve.
“Prandaj kur jepen tenderë nga shteti, në kontrata duhet të përfshihen edhe pagat e punëtorëve dhe kushtet e punës. Por tashmë e dimë që pagat e kushtet e dinjitetshme në punë nuk arrihen as nga mëshira e pronarëve parazitarë e as nga pushtetarët hipokritë”, tha Islami.
Edhe kryetari i sindikatës së punëtorëve të sektorit privat, Jusuf Azemi, i cili mori pjesë në protestë, shprehu keqardhje rreth gjendjes në të cilën ndodhen këto punëtore.
“Realisht janë bërë dy shkelje ligjore, e para sepse nuk mbahet në mend që janë mbajtur grevë dy muaj dhe mos të përfundojë procesi i një grevës në rend të parë dhe në rend të dytë, shkelja e vendimit të Kryeministrit të Kosovës, që po shihet se këto vendime janë sa për t’u qitur në opinion sepse ato nuk zbatohet”, tha Azemi.
Punëtoret teknike të Kuvendit kërkojnë që paga e tyre të rritet në 500 euro.