Me pankartat “Duam kontratë kolektive sektoriale”, “Të zbatohet aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese”, “Ndaloni mbylljen e reparteve në spitale”, Federata e Sindikatave të Shëndetësisë e Kosovës ka protestuar para Ministrisë së Shëndetësisë.
Kryetarja e kësaj sindikate, Tevide Imeri ka deklaruar se kjo qeveri “nuk dëshiron sindikata, e as dialog social”.
Kryetarja e kësaj federate, Tevide Imeri, u shpreh se kjo qeveri nuk i do as sindikatat, e as s’e do dialogun me to, vetëm po i sheh si armiq.
“Sot këtu jemi vetëm një pjesë si këshill drejtues i FSSHK-së me kërkesat të cilat tanimë janë publikuar në media dhe janë: mbyllja e dialogut social, që është qenësore, kontratën kolektive sociale, të cilën kjo Ministri e ka shkëputur njëanshëm. Këta nuk kanë vullnet as të nënshkruajnë kontratën e as nuk kanë vullnet të bëjnë dialog social, vetëm dëshirojnë të shkojmë e t’i dëgjojmë në vazhdimësi, lavdet e tyre dhe prononcimet që i bëjnë në media”, tha Imeri.
Ajo deklaroi se shpreson që kjo të jetë protesta e fundit, ndonëse nuk sheh ndonjë dritë jeshile nga ministria, lidhur me kërkesat e tyre.
Imeri pohoi se kanë pasur një takim aspak të kënaqshëm me ministrin Vitia, aty ku iu kumtua se kontrata selektive sociale është e mbyllur dhe nuk diskutohet.
Sipas saj, është kërkuar nga ministri Vitia mënyra se si do të bëhet rritja e pagave nëpërmjet koeficientit, gjë për të cilën, Imeri thotë se as vet ministri nuk e di.
“Zbritjet e pagave janë duke vazhduar akoma. Ju mund të merrni informata në secilin institucion dhe do të shihni që ka zbritje të pagave çdo muaj në sektorin mbështetës. Ndërsa, rritja e çmimeve e inflacioni, po e shihni vetë se ku janë”, shtoi Imeri.