Prokuroria Themelore në Pejë ka njoftuar se gjatë periudhës janar-mars 2026, në kuadër të veprimeve hetimore dhe operative në luftimin e kriminalitetit dhe forcimin e sundimit të ligjit, janë sekuestruar asete të konsiderueshme.
Sipas njoftimit, gjatë kësaj periudhe janë sekuestruar 20 vetura, të dyshuara se janë përdorur apo janë përfituar nga aktivitete të kundërligjshme, si dhe 49 kilogramë ar, 622 gramë diamante dhe 424 gramë argjend.
Po ashtu, Prokuroria ka bërë të ditur se janë sekuestruar edhe shuma parash të gatshme në valuta të ndryshme: 13,145 euro, 2,320 franga zvicerane, 2,400 dollarë amerikanë dhe 1,100 korona çeke, si dhe 2,900 korona suedeze, 470 funta britanike, 200 franga ruandeze dhe 200 lekë shqiptarë.
Prokuroria Themelore në Pejë ka theksuar se këto rezultate janë arritur në bashkëpunim me institucionet e zbatimit të ligjit, si pjesë e përpjekjeve të koordinuara për parandalimin e veprave penale dhe identifikimin e kryerësve të tyre.
Në njoftim thuhet se Prokuroria mbetet e përkushtuar në ushtrimin e funksionit kushtetues dhe ligjor, duke ndërmarrë veprimet e nevojshme për hetimin dhe ndjekjen penale të personave të përfshirë në veprimtari të kundërligjshme, si dhe për sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurisë së përfituar në mënyrë të paligjshme.






