PËRGATITI: ARIAN HAJDARAJ
Departamenti për Krime të Luftës në Prokurorinë Speciale, ka përfunduar hetimet për një nga masakrat më të mëdha – atë të Mejës.
Prokuroria Speciale ka treguar ekskluzivisht për ATV-në se kanë identifikuar vrasësit e qindra shqiptarëve, para 24 vjetësh, urdhërdhënësit dhe personat që nuk ndërmorën masa për ta parandaluar masakrën. Aktakuza pritet të ngrihet brenda muajsh dhe gjykimi parashihet të bëhet në mungesë.
Në mëngjesin e hershëm të 27 prillit 1999, nisi masakra më e madhe në luftën e Kosovës. Brenda 48 orëve, forcat serbe masakruan 377 persona në fshatin Mejë të Gjakovës.
Për t’u identifikuar përgjegjësit, hetimet e institucioneve të drejtësisë kishin nisur prej kohësh. Por, ato tanimë kanë përfunduar, andaj tash ka mbetur vetëm një procedurë.
“Ka mbetur hartimi i aktakuzës që merr kohë mbase disa muaj, sepse bëhet fjalë për shumë-shumë viktima. Por, do të ngrihet aktakuza.
Rezultatet e hetimeve tregojnë për shumë të përfshirë në vrasjen e shqiptarëve në këtë fshat të Gjakovës.
“Kemi identifikuar kryerësit e drejtpërdrejtë, por kemi zbuluar dhe identifikuar edhe ata që kanë dhënë urdhër, sikurse edhe ata që nuk i kanë marrë masat ligjore për të cilat kanë qenë të detyruar.
Përfundimi i hetimeve cilësohet si lajm i mirë nga Fondi për të Drejtën Humanitare. Megjithatë, nga kjo organizatë, janë skeptikë sa i përket aktakuzës në mungesë, siç po planifikohet të ngrihet.
“Nuk jemi pro gjykimeve në mungesë për arsye se ne gjithmonë rekomandojmë që Serbia e Kosova të nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi që t’i shkëmbejnë informatat e personat të gjykohen fizikisht, sepse nuk ka satisfaksion për viktimat kur ka gjykim në mungesë, derisa kryerësit enden në liri.”
Nga Policia e EULEX-it, në vitin 2014, ishte ndaluar edhe një shqiptar si i dyshuar për pjesëmarrje në masakër. Por, gjatë kohës së paraburgimit, ai kishte kryer vetëvrasje.
15 vjet pas përfundimit të luftës, shumica e të masakruarve në Mejë u gjetën në një varr masiv në Batajnicë të Serbisë. Ndërsa, 15 prej tyre ende janë të zhdukur.