Në një mbrëmje të veçantë në Berlin, e zhvilluar me pjesëmarrjen e komunitetit shqiptar në Gjermani, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dekoruar politikane dhe aktivisten e njohur gjermane Marieluise Beck me Medaljen Presidenciale të Meritave.
Osmani vlerësoi Beck për “mbështetjen e saj të palëkundur ndaj popullit të Kosovës”, duke theksuar se ajo është “një grua që e bëri kauzën e Kosovës pjesë të ndërgjegjes evropiane”.
Marieluise Beck është një nga zërat më të hershëm në politikën gjermane që ka mbrojtur të drejtat e popullit të Kosovës dhe ka mbështetur shtetndërtimin demokratik të vendit që nga vitet ’90. Si ish-deputete e Bundestagut dhe bashkëthemeluese e Qendrës për Liberalizëm dhe Demokraci (Zentrum Liberale Moderne), ajo ka kontribuar në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë.
Në ceremoninë e mbajtur, Osmani u shpreh mirënjohëse ndaj mërgatës shqiptare në Gjermani për mbështetjen e vazhdueshme ndaj vendit, duke theksuar se kontributi i tyre mbetet një shtyllë e rëndësishme e zhvillimit të Kosovës.







